Shefja e Grupit Parlamentar, të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë të ditur se të premten do të ketë seancë të re të Kuvendit të Kosovës, në të cilën kryeministri Albin Kurti, do të raportojë për bisedimet e fundit në Bruksel.
Po ashtu, sipas saj seancë do të ketë edhe të enjten, ku do trajtohen pikat e seancave të papërfunduara.
“U dakorduam ti kemi dy seanca, të rregullta. E para është të enjten, në 10, do trajtohen pikat e papërmbyllura… Seancë të re do të ketë të premten, në të cilën pikë e parë të rendit të ditës është raportimi i kryeministrit, dhe pastaj do të vazhdohet me pikat e rregullta të rendit të ditës”, tha ajo.
Tutje ajo tha se grupi parlamentar i VV-së, është informuar për draftin evropian të Asociacionit, i cili sipas saj është ende në proces të punës
“Ne si grup parlamentar jemi të informuar për përmbajtjen e draftit, pikave kryesore, të cilat janë në përputhje me kushtetutën, por nuk janë në procesin final. Kjo është punë në proces, nuk kemi të bëjmë me diçka të finalizuar, nuk ka pasur nënshkrim, arsyet e saja janë thënë. Sipas informacioneve zyrtare nga Kurti dhe Bislimi, pala kosovare ka ofruar nënshkrimin por ka pasur mospranim nga pala sebre. Duhet të shihen hapat e mëtutjeshme”, tha ajo.