Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuza ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku, për përleshjen në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu po akuzohet nga prokuroria se ka përdorur forcën ndaj të dëmtuarit, ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Si rrjedhojë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, shkruan Insajderi.
Sipas aktakuzës “…i akuzuari Haxhiu, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore të dëmtuarit Murati, e ka goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar ndrydhje të indeve në nofull, dëmtime të kualifikuara si lëndime të lehta trupore”, thuhet në dosjen e prokurorisë të siguruar nga Betimi për Drejtësi.
Bëhet me dije se është propozuar që gjatë administrimit të provave të nxjerrën dhe shikohen si prova: një CD me video-incizime nga regjia në Kuvend, CD-ja me video-incizime nga Kuvendi më 13 korrik 2023, një CD me video-incizime të marrë nga DIA lidhur me rastin e Kuvendit, foto-dokumentacioni që gjendet në shkresat e lëndës, deklaratat e të pandehurve dhe të dëmtuarve dhe informacionet e siguruara gjatë procedurës penale, raportin mjekësor, mendimin e ekspertit mjeko-ligor dr.Naim Uka.