Të mërkurën, Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) ka protestuar para objektit të Qeverisë duke kërkuar kushte më të mira punë. Mbi këtë protestë komente ka dhënë Koloneli në pension i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, shkruan Insajderi.
Sipas tij çështjet e sigurisë nuk duhet të përdorën për poena politikë as nga pozita e as nga opozita.
Ai ka thënë se opozita është duke e bërë të kundërtën e saj.
“Nuk është dashur që as pozita e as opozita, sidomos opozita të bëjë opozitarizëm më çështje të sigurisë dhe të policisë. Fatkeqësisht po e bëjnë atë për arsyet e veta. Edhe kjo me vetëdije apo pa është e manipuluar, Policia ka mbetur e vetme dhe iu ka rrek edhe metodës së grevës dhe protestës në shesh”, ka thënë ai në Dukagjini.
Sylejmani ka pasur kritika edhe për Qeverinë, duke thënë se Qeveria ka krijuar përçarje brenda Policisë.
“Ata duhet të mbulohen me shtesat rrezikshmërinë, i kanë pasur shumë mirë dhe është dashur të me i avancu, por këta i kanë marrë edhe i kanë kthye mbrapa edhe kanë krijuar përçarje brenda Policisë. Se dikujt ia kanë rritur dikujt ia kanë zvogëluar. Askush në fije nuk mund i bie…”, shtoi ai.