Analisti dhe njohësi i çështjeve politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Edward Joseph, ka sfiduar ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, gjatë Forumit të Beogradit për Siguri, lidhur me një deklaratë të mëhershme ku kishte thënë se “Serbia është partnere e SHBA-së dhe pyetja është nëse edhe Kurti është partnerë”.
Joseph teksa ka renditur një varg veprimesh të Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit, përfshirë edhe rritjen e forcave serbe në afërsi të kufirit dhe shpalljen ditë zie për terroristët që u vranë në Banjskë i ka thënë ambasadorit Hill se “a është Aleksander Vucici partner i SHBA-së”.
Hill ka thënë se ajo çfarë SHBA-ja po provon të bëjë është që të gjejë një zgjidhje. Ambasadori amerikan ka thënë se ka mendime personale për zhvillime por që nuk i përdor rrjetet sociale për t’i shprehur ato.
Hill ka thënë se e kupton rolin e mesazhit publik, por sipas tij, problemet duhet të adresohen përmes kanaleve tradicionale diplomatike dhe thotë se SHBA-ja e bën një gjë të tillë.
“Çfarë SHBA po provon shumë fortë është që të gjejë një zgjidhje. Z. Xhozef ju keni mendimet tuaja për atë se ku qëndron problemi. Edhe unë kam mendimet e mia personale. Por kur flasë publikisht, dhe s’e shfrytëzojë “X”, e kuptoj rolin e mesazhit publik. Por mendoj se këto probleme duhet të adresohen në kanale tradicionale diplomatike. Dhe dua të të siguroj ty dhe të gjithë këtu se e bëjmë këtë.”, ka thënë Hill, raporton Express.
Ai tutje ka thënë se është e nevojshme rinisja e dialogut dhe për ta bërë një gjë të tillë duhet de-eskalim dhe përkushtim për marrjen me çështjen e dialogut.
“Cfarë kemi nevojë është rinisje e dialogut dhe për të shkuar aty duhet siguruar që ka de-eskalim dhe përkushtim për dhënie marrje në dialog. Dhe nuk është shumë e lehtë, meqë njerëzit herë i bëjnë punët e tyre, por edhe s’i kryejnë”, shton ambasadori amerikan.
Ambasadori Hill ka thënë se problemi Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me një zgjidhje politike.
Diplomati amerikan ka thënë se ajo çfarë bën është që merret me ata që duhet të merret dhe se i bënë të qarta pozicionet e qeverisë amerikane.
Në fund të përgjigjes Hill ka thënë se duhet të arrihet në një pikë ku ka jo vetëm de-eskalim të forcave por edhe de-eskalim të temperamenteve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për të ecur përpara.
Zgjidhja sipas ambasadorit Hill duhet gjendet përmes një mekanizmi politik.
“Çfarë përpiqem të bëjë, është që të merrem me atë që duhet të merrem dhe t’i bëjë të qarta pozicionet e Qeverisë time dhe më besoj që e bëjë këtë. Dhe duhet të arrijmë në një pikë ku jo vetëm ka de-eskalim të forcave por edhe de-eskalim të temperamenteve dhe mund të gjejmë një zgjidhje për të ecur përpara sepse kjo çështje duhet të zgjidhet nga një mekanizëm politik. Është një koncept iluziv, por duhet ta ndjekim”, ka përfunduar Hill.