Mitrovicë – Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të premten janë administruar provat materiale, në rastin ku Haxhimet Ferati po ngarkohet se në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Mitrovicës, ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Rrahman Beqiri njoftoi se gjykata për sigurimin e provave të reja iu kishte drejtuar Komunës së Mitrovicës, ndërsa në parashtresen e tyre dorëzuar në gjykatë është vërejtur se provat e kërkuara nga gjykata kanë munguar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Beqiri njoftoi se kishin munguar: lista e çmimeve për kontratën nr. 034/14, dokumenti me të cilin është anuluar procedura e tenderimit- Zona e lirë ekonomike – faza e dytë 2014, dhe raporti i pagesave për NTP “Tropik” sipas aneks-kontratës së 9 nëntorit 2014.
Gjatë administrimit të provave të reja materiale, të siguruara nga gjykata, lidhur me administrimin e shkresës së lëshuar nga drejtoresha për buxhet dhe financa, u tha se në të potencohet që pagesat nuk mund të sigurohen.
Por, i akuzuari Ferati pati kundërshtime, me arsyetimin se pagesat nuk gjenden në Komunën e Mitrovicës ngase janë paguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe se raportet e punës kanë shkuar në Ministri, të cilët pastaj i kanë bërë pagesat.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ferati, avokati Armend Shkoza porpozoi që edhe njëherë të bëhet përpjekje për sigurimin e vëndimit nr 09/031-69031nga Komuna e Mitrovicës.
Propozimin e avokatit Shkoza, nuk e kundërshtoi prokurori Njazi Rexha dhe më pas e aprovoi trupi gjykues.
Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 tetor 2023, Haxhimet Ferati akuzohet se më 19 nëntor 2014, në pozitën e menaxherit të prokurimit publik pranë Drejtorisë së Prokurimit, në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të një dobie pasurore për vete ose tjetrin në kundërshtim me LPP nr. 04L-042, ka lidhur aneks- kontratë me Operatorin Ekonomik NTP “Tropik” me të cilin ka pasur kontratë kornizë trivjeçare. Detajet tjera nga aktakuza, i gjeni KËTU./ BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.