E mërkurë, 23 Tetor, 2024

Aksidenti ku vdiq një kadet policor – babë e bir të shpallur fajtorë do të rigjykohen për shkak të “dënimeve të larta”

Gjykata Supreme ka vendosur ta kthejë në pikën zero, për t’u rigjykuar sërish babë e bir për rastin e vdekjes tragjike të kadetit të Policisë së Kosovës, 30-vjeçarit Flordian Shabaj, në një aksident trafiku në nëntor të vitit 2022 në fshatin Jashanicë të Klinës.

Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë me të cilin Arton dhe Nezir Duraku ishin dënuar së bashku me 15 vite burgim. Por, në aktgjykimin e Supremes të cilin e posedon Gazeta Express, thuhet se “dënimet e shqiptuara janë tejet të larta”. Të njëjtit sipas aktakuzës, nuk i ofruan ndihmë viktimës duke u larguar nga vendi i ngjarjes, e vozitësi 21-vjeçar ( A.Duraku), kishte drejtuar kamionin pa pasur patentë shofer.

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me aktgjykimin e datës 8 nëntor 2023, ka aprovuar si të bazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të të dënuarve Arton Duraku e Nezir Duraku, ashtu që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, anulohen dhe çështja i kthehet në rigjykim gjykatës së shkallës së parë.

Sipas aktgjykimit të Supremes “Vepra penale Rrezikimi i trafikut publik, bën pjesë në veprat penale të kryera nga pakujdesia dhe se gjykata nuk është dashur që ta bëjë pranimin e fajësisë siç qëndron në përshkrimin e aktakuzës, por të theksojë se vepra penale është kryer nga pakujdesia, ashtu siç parashihet në paragrafët 1,2,6 dhe 9 të kësaj dispozite ligjore, pra nenit 370 të KPRK-së, ku dënimi më i lartë parashihet të jetë 8 vite”.

Supremja thotë se “kompetencë lëndore për zgjidhjen e çështjes do të kishte Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, e jo Departamenti i Krimeve të Rënda, siç ka ndodhur konkretisht”.

“Sa i përket veprës penale “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”…në rastin konkret nuk kemi prova që mosdhënia e ndihmës nga tani të dënuarit, kishte me shpëtuar jetën apo kishte me shty vdekjen deri në dhënien e ndihmës profesionale nga mjeku”.

“Nuk ka prova se tani i ndjeri ka vdekur në vendngjarje për shkak të mosdhënies së ndihmës dhe se kemi ikur nga vendi i ngjarjes, jo për mos i dhënë ndihmë, por nga frika e hakmarrjes së familjarëve, sepse aksidenti ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së të ndjerit”…”Bazuar në këto rrethana….dënimet e shqiptuara janë tejet të larta”, vijon aktgjykimi i Supremes të cilin e posedon Gazeta Express.

Por, me këtë aktgjykim është shprehur i habitur prindi i të ndjerit, Enver Shabaj.

Për arsyetimin se të ndjerit nuk i është dhënë ndihmë jo për shkak se kanë ikur por nga frika e hakmarrjes së familjarëve, prindi Enver Shabaj tha për Gazetën Express se distanca nga shtëpia e tij deri te vendi i ngjarjes është 35 kilometra.

“Kështu e qet edhe Google Maps”, tha ai.

Arton Duraku, u dënua nga gjykata e shkallë së parëpër veprën penale “Rrezikim i trafikut publik” me 10 vite burgim, ndërsa për “Mosdhënie të ndihmës” me 3 vite burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 10 vite burgim. Kurse, Nezir Duraku për veprën penale “Mosdhënia  ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut”, u dënua me 5 vite burgim.

Çka thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj Arton e Nezir Durakut?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të cilën e kishte publikuar Gazeta Express, në ditën kritike 21 vjeçari po drejtonte kamionin pa patentë shofer i cili ishte pa regjistrim dhe jo i rregullt teknikisht si dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë  e lëvizjes me kushtet e rrugës e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar, në mbi 90km/h. Në kamion në cilësinë e pasagjerit ishte edhe babai i tij, i cili sipas prokurorisë pas aksidentit kishte dalë nga kamioni së bashku me të birin duke iu afruar viktimës por “nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”.

“I pandehuri Arton Duraku: Me datën 21.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, shkel ligjin mbi trafikun publik dhe atë nenin 53 par. 1 dhe 231 par. 1 dhe me këtë tjetrit i shkakton vdekjen dhe atë viktimës/të ndjerit Flordian Shabaj, në atë mënyrë që, derisa i pandehuri, pa pas patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, në të cilën kishte rimorkion e kamionit dhe një rimorkio shtesë për transport ekskavatorësh, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderej – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri Floridan Shabaj, ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin Opel në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë, transmeton Gazeta Express.

“Me datën 22.11.2022 rreth orës 06:45min, në fshatin Jashanicë K. Klinës, rrugën Skenderaj – Klinë, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës Floridan Shabaj, në mënyrën që, pasi i pandehuri shkakton aksidentin e trafikut të përshkruar si në dispozitivin e parë të aktakuzës, ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij/të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”, thuhet tutje në aktakuzë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer