Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht për një aksion të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të organizuar që u zhvillua sot, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, në disa lokacione në Skenderaj, Viti dhe Klinë, si rezultat i një hetimi për të identifikuar personat e involvuar në aktivitete kriminale. Dhjetë persona përfunduan në Polici si të dyshuar, ndërkohë që u sekuestruan armë e municion.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që po dyshohen për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” janë:
Xhavid Jashari, Sefer Slivova, Shkelzen Morina, Edit Dakaj, Agonis Dautaj, Kushtrim Mavriqi, Dibran Veseli, Azdren Morina, Pajtim Etemi dhe Endrit Berisha.
Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkë me njësitet mbështetëse policore, ka bërë realizimin e aksionit, bazuar në hetimet që ishin zhvilluar më herët në lidhje me këtë rast.
Gjatë këtij operacioni policor, është bërë kontrollimi i shtëpive me objektet përcjellëse dhe i një lokali në 11 lokacione, në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë materiale:
• dy (2) pushkë automatike AK 47,
• dy (2) pushkë gjuetie,
• një (1) pistoletë,
• pesë (5) karikator,
• njëqind e gjashtëmbëdhjetë (116) fishekë të kalibrave të ndryshëm etj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.