Kompania “Mitro Vet SH.P.K.” i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) me një ankesë kundër Komunës së Mitrovicës të udhëhequr nga Faton Peci, lidhur me tenderin e prokurimit për trajtimin e qenve endacakë në territorin e komunës, tender i cili ka vlerën e parashikuar 300,000€. Ankesa është dorëzuar më 02.04.2026 dhe ka të bëjë me procedurën e ritenderimit të këtij shërbimi, shkruan rajoni.org.
Sipas dokumentit të ankesës, operatori ekonomik pretendon se dosja e tenderit përmban një sërë kushtesh që janë diskriminuese dhe kufizuese për konkurrencën e lirë në treg. Ndër pikat kryesore të kontestuara janë kërkesa për qarkullim financiar minimal prej 300 mijë eurosh, si dhe obligimi për përvojë të ngjashme në të njëjtën vlerë për shërbime të trajtimit të qenve.
Një tjetër pikë e rëndësishme e ankesës lidhet me kërkesën që operatori ekonomik të ketë ambulancë veterinare dhe strehimore të vendosura brenda territorit të Komunës së Mitrovicës. Sipas “Mitro Vet SH.P.K.”, ky kusht përbën kufizim gjeografik dhe bie ndesh me parimet e Ligjit për Prokurimin Publik, pasi operatorët e licencuar mund të ushtrojnë aktivitetin në gjithë territorin e Kosovës.
Po ashtu, kompania konteston edhe kërkesën për strehimore me kapacitet minimal prej 100 qenve, si dhe mënyrën e përcaktimit të dokumenteve që pranohen si dëshmi. Në ankesë thuhet se përjashtimi i procesverbaleve të inspektimit si dokument valid është i pajustifikueshëm dhe jo në përputhje me praktikat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
“Mitro Vet SH.P.K.” pretendon se disa nga këto kritere janë rikthyer nga një procedurë e mëparshme, pavarësisht se sipas tyre, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte konstatuar më herët probleme me të njëjtat kërkesa. Për këtë arsye, kompania kërkon që OSHP të ndërhyjë dhe të detyrojë Komunën e Mitrovicës të rishikojë dhe harmonizojë kushtet e tenderit në përputhje me ligjin, përcjell rajoni.org.
Sipas operatori ekonomik, këto kushte mund të kufizojnë konkurrencën dhe të dëmtojnë pjesëmarrjen e operatorëve të tjerë në këtë aktivitet prokurimi, duke krijuar një proces të pabarabartë në shpërndarjen e kontratës publike./Rajoni.org/