Një grup i punonjësve shqiptarë të Komunës së Mitrovicës së Veriut kanë reaguar publikisht ndaj, siç thonë ata, padrejtësive dhe shkeljeve ligjore që po u bëhen nga autoritetet komunale, me në krye kryetarin Erden Atiqi.
Në një reagim me shkas, i publikuar nga njëri prej tyre, Besnik Xhaka, ata theksojnë se janë duke u përballur me shkelje të rënda të ligjeve të Republikës së Kosovës dhe me diskriminim të hapur në vendin e punës.
Sipas tyre, veprimet e kryetarit Atiqi përbëjnë shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës, Ligjit të Punës dhe parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit.
“Rasti im personal, së bashku me të kolegëve të tjerë, është tashmë në duart e drejtësisë dhe presim që Gjykata së shpejti ta konstatojë të vërtetën dhe të sjellë drejtësi,” thuhet në reagimin e Besnik Xhakës.
Postimi i plotë:
REAGIM ME SHKAS
Lidhur me parregullsitë dhe shkeljet ligjore në Komunën e Mitrovicës së Veriut
Ne, punonjësit shqiptarë të Komunës së Mitrovicës së Veriut, vazhdojmë të përballemi me padrejtësi të thella dhe shkelje të rënda të ligjeve të Republikës së Kosovës. Duke vepruar në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi dhe me të drejtat tona si të punësuar, autoritetet komunale, me në krye Erden Atiqin.
Kjo praktikë diskriminuese dhe arbitrare nuk ka asnjë bazë ligjore dhe përbën një shkelje flagrante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit të Punës dhe parimeve të barazisë dhe mosdiskriminimit. Rasti im personal, së bashku me të kolegëve të tjerë, është tashmë në duart e drejtësisë dhe presim që Gjykata së shpejti ta konstatojë të vërtetën dhe të sjellë drejtësi.
Ftojmë Prokurorinë e Shtetit që të veprojë me vendosmëri dhe të çojë përpara kallëzimin penal ndaj z. Erden Atiqi për veprimet e tij të paligjshme dhe abuzimin me detyrën zyrtare. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të distancohen publikisht nga veprimet e tij dhe të mos bëhen pjesë e një strukture që dëmton interesin qytetar, shkel të drejtat e punëtorëve dhe minon sundimin e ligjit në vendin tonë.
Kërkojmë që institucionet e Kosovës të reagojnë me seriozitetin e duhur dhe të garantojnë mbrojtjen e të drejtave tona të punës dhe dinjitetit njerëzor, pa dallim etnie apo përkatësie politike.
Drejtësia do të vijë dhe do të jetë në anën e së drejtës!
Me respekt
Besnik Xhaka