Autoriteti i Konkurrencës ka nisur procedurën e vlerësimit të bartjes së 100 për qind të aksioneve të Al-Petrol nga CDI-Kosovo, në pronësi të biznesmenit nga Vushtrria, Shaip Mikullovci.
Kompania CDI-Kosovo në pronësi të biznesmenit nga Vushtrria, Shaip Mikullovci, ka blerë 100 për qind të aksioneve të njërës prej gjigantëve të tregut të derivateve të naftës në vend, ‘Al Petrol’.
Marrëveshja për shitblerjen e 100 për qind të kapitalit të Al-Petrol mes dy kompanive është realizuar më 21 shkurt të vitit 2025, sipas një dokumenti të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës (AKK).
Por transferimi formal i pronësisë ende nuk është finalizuar, raporton Paparaci
Për të realizuar bartjen e pronësisë, Al Petrol ka parashtruar muajin e kaluar kërkesë për përqendrim ekonomik – marrje nën kontroll të aksioneve të kompanisë – nga CDI-Kosovo.
Siç kishte raportuar portali Nacionale vitin e kaluar, marrëveshja mes dy kompanive është finalizuar për një çmim prej rreth 60 milionë eurosh.
“Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, me datë; 11.09.2025, ka pranuar kërkesën me Nr. Prot. 427/25-11/H, lidhur me Njoftimin e Përqendrimit, të cilin e përfaqëson Znj. Rea Kryeziu Përfaqësuese Ligjore,, Përqendrim lidhur me marrjen e kontrollit të plote dhe të vetëm nga CDI-Kosovo L.L.C mbi 100% të kapitalit AL-Petrol SH.P.K”, thuhet në një njoftim të Autoritetit të Konkurrencës, të lëshuar të enjten e 2 tetorit.
Sipas Njoftimit të Përqendrimit, dy kompanitë kanë lidhur marrëveshje për shitblerjen e kapitalit më 21 shkurt të vitit 2025.
“Njoftimi për Përqendrim, është i bazuar në Marrëveshjen e Shitjes dhe Blerjes e të gjithë kapitalit aksionar të emetuar të AL- Petrol Sh.P.K midis Shitësit dhe CDI-KOSOVO LLC – Blerësi, me datë 21 Shkurt 2025”, thuhet në njoftim.
AKK e ka njoftuar përfaqësuesin e kompanisë Al Petrol se lënda është e kompletuar dhe se nga data 1 tetor Autoriteti ka nisur procedurën e vlerësimit të përqendrimit.
CDI-Kosovo është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, me bazë në Prishtinë, e cila ka një kapital prej 28 milionë eurosh, bazuar në të dhënat e prezanzuara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Aksionet e saj i zotërojnë Shaip Mikullovci (93%) dhe Ylber Kuraja (7%), sipas të dhënave në ARBK.
Sipas përshkrimit të AKK-së, CDI-Kosovo merret me tregti të produkteve ushqimore, pijeve, duhanit, si dhe tregti të produkteve kozmetike, pajisjeve elektroshtepiake, tekstileve, farmaceutike, pajisjeve elektronike dhe të telekomunikimeve, etj.
Biznesmeni Shaip Mikullovci është pronar edhe i rrjeteve të supermarketeve Interex dhe Emona, si dhe kompanisë së shitjes me pakicë të derivateve, IP Petrol.
Ndërsa, Al Petrol është një nga kompanitë më fitmiprurëse në tregun e shitjes me pakicë të naftës në vend, e cila operon në treg që nga paslufta. Nga viti 2018, pompat e saj të derivateve operojnë me përdorimin e markës ndërkombëtare Shell në pikat e saj të shitjes, sipas një marrëveshje licencimi të nënshkruar mes ‘Al Petrol’ dhe Shell po atë vit.
Aksionet e saj, deri në finalizimin e marrëveshjes formale për bartje të aksioneve me ‘CDI-Kosovo’, i zotërojnë anëtarë të familjes Kryeziu nga Bubaveci i Malishevës.
Sipas të dhënave zyrtare pranë ARBK-së, aksionari kryesor në ‘Al Petrol’ është Halim Kryeziu i cili zotëron 35 për qind të aksioneve të kompanisë.
Me seli në Fushë Kosovë, kompania operon në tregtimin me shumicë dhe pakicë të lëndëve djegëse dhe karburanteve për automjete.