E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

ALARMANTE: Kosova drejt një krize të rëndë energjetike

Gjendja e furnizimit me energji elektrike në Kosovë është në prag të një krize të thellë dhe alarmante, shkruan Demokracia.com.

Konsumi i energjisë është rritur për 18 për qind me uljen e temperaturave, duke shtuar presionin mbi një sistem të brishtë furnizimi.

Çmimet e energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare janë rritur në shifra të frikshme, duke arritur mbi 700 euro për megavat në orë. Ndërsa, kapaciteti ndërkufitar gjatë orëve të pikut shkon mbi 400 euro për megavat në orë. Si rezultat, kostoja totale e një megavati të importuar kalon shifrën marramendëse prej 1,100 eurosh, një barrë e papërballueshme për konsumatorët dhe industrinë vendase. Krahasuar me çmimin tipik të kapacitetit ndërkufitar prej 10-20 euro për megavat në orë, kjo rritje është shokante dhe po i çon kostot drejt një rritje të pakontrolluar. Kërkesa e lartë në rajon dhe kufizimet e linjave të transmisionit kanë shtuar më tej këtë ngarkesë financiare.

Ndërkohë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka paralajmëruar ndaljen e njësisë B2 në mesnatën e sotme për shkak të problemeve teknike. Demokracia.com ka mësuar se kjo njësi ka rrjedhje të brendshme dhe deri më tani nuk ka një afat për rikthimin e saj në funksion. Ky defekt ka një impakt të madh financiar dhe mund të çojë në ndërprerje të rënda të furnizimit.

Demokracia.com i ka dërguar KEK-ut disa pyetje urgjente lidhur me këtë situatë kritike, për të cilat ende nuk ka marrë përgjigje. Ndër to janë: “Cilat janë masat e menjëhershme që KEK po ndërmerr për të adresuar problemet me njësinë B2 dhe për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike? A ka KEK një plan emergjent për t’u përballur me situata kritike si kjo, për të garantuar stabilitetin e furnizimit me energji elektrike? Si planifikon KEK të menaxhojë kërkesën në rritje për energji gjatë dimrit, veçanërisht në orët e pikut?”.

Prodhimi aktual vendor arrin vetëm deri në 700 megavat në orë, ndërsa mbi 250 megavat duhet të importohen gjatë orëve të pikut për të mbuluar kërkesën. Pas ndaljes së njësisë B2, kjo nevojë për import pritet të rritet në rreth 500 megavat në orët e pikut, një sfidë e madhe për sektorin energjetik.

Kompania KESCO ka paralajmëruar se shpenzimet për importin e energjisë kanë arritur deri në 800 mijë euro në ditë dhe nesër pritet të kapin shifrën prej 1.5 milionë eurosh në ditë. Margarita Rashiti, zëdhënëse e KESCO-s, tha për Demokracia.com se “Kërkesa për energji elektrike gjatë pikut ka arritur në mbi 900 megavat në orë, kur ende nuk kemi hyrë plotësisht në periudhën e dimrit. Apeli ynë është që qytetarët të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike”.

Një tjetër faktor shqetësues është varësia e qytetarëve nga ngrohja elektrike, kryesisht përmes kondicionerëve inverterë, e cila ka çuar në një rritje të ngarkesës. Për pasojë, kërkesa për dru zjarri ka rënë ndjeshëm, duke ulur çmimin e tyre në treg, ndërkohë që kostoja e produkteve të tjera ka qenë në rritje gjatë viteve të fundit.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer