Vetura e markës ‘Audi’ dhe modelit ‘A4’, e cila është duke u përdorur për nevoja të Alban Hysenit, është në pronësi të familjarëve të Labinot Grudës, të dënuarit për rastin e 2.1 milionëshit në Thesarin e Shtetit. Makina e konfiskuar, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit, figuron në emër të bashkëshortes së Grudës.
Gazeta Insajderi ka dërguar kërkesë për qasje në dokumente publike lidhur me veturën në fjalë pranë Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë për veturën në fjalë.
Nga kjo agjenci e kanë dërguar vendimin e datës shtatë korrik të këtij viti, për dhënien e kësaj veture për shfrytëzim për nevoja të Komunës së Gjilanit.
Të njëjtit, të pyetur për pronësinë e veturës së konfiskuar, iu referohen aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe atij të Apelit. Sipas aktgjykimeve të shkallës së parë dhe asaj të dytës për rastin e 2.1 milionëshit, njëra nga tri ‘Audi’-të e konfiskuara e ka përshkrimin saktësisht sikurse në vendimin e AAPSK-së. Pra, vetura e tipit A4, ngjyrë hiri, është në emër të F.M.G, bashkëshortes së Labinot Grudës.
“Vetura, në bazë të Aktgjykimit me numër; PS.nr.43/21, të datës; 30.01.2023, dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit; APS. nr.19/2023, të datës; 29.06.2023, është KONFISKUAR. Në bazë të kërkesës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Vetura Audi A4, ngjyrë hiri, i është dorëzuar në shfrytëzim Komunës së Gjilanit, me datë; 07.07.2023”, thuhet në përgjigjen e AAPSK-së.
Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për rastin e 2.1 milionëshit
Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit për rastin e 2.1 milionëshit
Vendimi i AAPSK-së për dhënien në shfrytëzim të veturës së familjes Gruda për nevoja të Alban Hysenit
Insajderi një javë më parë raportoi se Komuna e Gjilanit kishte marrë një veturë të konfiskuar për ta shfrytëzuar për nevoja të komunës, për shkak të mungesës së veturave zyrtare.
Një gjë të tillë e kishte konfirmuar zëdhënësi i kësaj komune, Hekuran Rapuca.
“Qysh e thotë ligji, ne e kemi bë një kërkesë për një veturë, na u ka dhënë vetura. Na e kemi ba një kërkesë sepse s’kena pasë vetura. Ia këna bë kërkesën komisionit [Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar] për vetura të sekuestruar në Doganë. Na u ka dhanë mundësia me e pranu qit veturë, e kemi pranu qito”, ka deklaruar Rapuca.
Në të dyja aktgjykimet për 2.1 milionëshin, thuhet se AAPSK-ja të drejtë që mjetet e konfiskuara t’i shesë.
“Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi Agjencia për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar në Prishtinë, obligohet që t`i marr nën administrim dhe menaxhim veturat e konfiskuara dhe e njëjta ka të drejtë që sendet e lartcekura t`i shesë dhe paratë nga shitja t`i administroi në përputhje me ligjin mbi Agjencinë”, thuhet në aktgjykime.
AAPSK-ja ka njoftuar se veturën në fjalë e ka në administrim që nga 23 dhjetori i 2020-ës.
Burime të Insajderit kanë pretenduar se vetura në fjalë po përdoret nga Hyseni edhe për çështje personale, mirëpo mediumi s’ka arritur ta konfirmojë një pretendim të këtillë.
Insajderi ka arritur të sigurojë edhe fotografi të veturës në fjalë, në ambiente pranë Komunës së Gjilanit.
Siç shihet në fotografi, komuna e Hysenit, ka ndryshuar targat e automjetit, duke e kthyer nga ’01’ në ’06’.
Gjykata Themelore në Prishtinë vitin që shkoi shpalli aktgjykim dënues Grudës dhe biznesmenit Kadri Shala, për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar me 21 vite burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Labinot Gruda u shpall fajtor duke u dënuar me dënim unik prej 8 mijë e 500 euro gjobë dhe 11 vite burgim efektiv.
Po ashtu, të njëjtit iu shqiptua dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike për 6 vite.