Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se opozita e ka vetëm edhe një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadës e radhës që, sipas tij, po përgatitet nga Kurti, përmes krijimit të kushteve për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kjo, sipas Krasniqit, mund të arrihet duke nominuar një kandidat të dytë për President, krahas Konjufcës tashmë të propozuar dhe duke qëndruar në sallë vetëm gjatë raundit të parë të votimit, për t’u larguar ne raundet pasuese.
“Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi.
Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces, sipas tij mund të bëhet me 40 nënshkrime.
“Në të kundërtën, duke filluar nga nesër vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale, përmes manovrave procedurale dhe lojës me Gjykatën Kushtetuese, ku koha e zgjedhjeve do të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”.