Në Ambasadën e Kosovës në Austri, në nderim të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, u mbajt një aktivitet përkujtimor, raporton albinfo.at.
Në këtë ngjarje të veçantë kulturore u prezantuan veprat e artistëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Austri: Haxhi Fejzullahu, Gëzim Emini dhe Halim Mejzini, të cilët përmes krijimtarisë së tyre artistike sollën reflektime dhe interpretime të rëndësishme mbi historinë, kujtesën dhe vlerat e luftës për liri.
Hapjen solemne të ekspozitës e bënë dy nxënëse me dy recitime artistike. Më pas programi vazhdoi me fjalën e të Ngarkuarit më Punë në Ambasadës e Republikës së Kosovës në Vjenë, z. Albinot Bimbashi, i cili vlerësoi lart vlerat artistike të veprave të ekspozuara dhe shprehu mirënjohje të thellë për çlirimtarët dhe sakrificën e tyre për liri, shkruan albinfo.at.
Përveç pjesëmarrëseve tjerë, në këtë organizim për nder të Epopesë së UÇK-së ishin të ftuar edhe veteranë të UÇK-së, të cilët me praninë e tyre nderuan këtë aktivitet përkujtimor dhe kulturor.
Kjo ekspozitë ishte një moment i veçantë për të kujtuar dhe nderuar sakrificën e popullit të Kosovës, në veçanti heroizmin dhe qëndresën e familjes Jashari dhe të Komandantit Legjendar Adem Jashari, të cilët u bënë simbol i lirisë, guximit dhe flijimit për atdheun.
Përmes artit u rikujtua dhe u përçua mesazhi i rëndësisë së ruajtjes së kujtesës historike dhe nderimit të atyre që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.




