Javën e kaluar, figurës së burgosur të opozitës ruse Alexei Navalny iu dhanë edhe 19 vite të tjera dënimi dhe u dërgua menjëherë në burg. Por asgjë e tillë nuk i ndodhi Yevgeny Prigozhin, kreut të grupit mercenar rus “Wagner”, i cili udhëhoqi një rebelim të armatosur në qershor, duke sfiduar sundimin prej dy dekadash të Vladimir Putin. Është e qartë se, siç shkruan CNN, çmimi për përballjen me Putinin nuk është fiks dhe ndoshta është edhe më e habitshme që Prigozhin as që është fshehur që nga kryengritja në fund të qershorit. Disa javë pas kryengritjes, ai u shfaq në margjinat e samitit të fundit ruso-afrikan në Shën Petersburg. Edhe pse zakonisht shihet i mbuluar, Prigozhin u fotografua me një bluzë dhe xhinse duke shtrënguar duart me një zyrtar nga Republika e Afrikës Qendrore. Kur prezantuesja e CNN, Christiane Amanpour pyeti ambasadorin rus në Britaninë e Madhe, Andrey Kelin, për “spektaklin e çuditshëm” të paraqitjes së Prigozhin pas rebelimit, ai tha se kryengritja përfaqësonte një formë “tradhtie të lartë”, por shpjegoi pse Putin vendosi ta linte të kaluarën pas. Ambasadori fillimisht u përpoq të shmangte një përgjigje, duke thënë se nuk mbante mend që ushtarë rusë u vranë gjatë rebelimit. Por, pas presionit të mëtejshëm nga Amanpurova, ai pranoi se nuk kishte asnjë shpjegim, siç shkruan “CNN”.
Përfitimet e Putin
Ekspertët prej kohësh po përpiqen gjithashtu të hedhin hipoteza lidhur me të ardhmen e Prigozhin. Ekspertët besojnë se ai është ende i vlefshëm për Putinin. “Reputacioni i Prigozhin në Kremlin ka pësuar qartë një goditje. Por duke qenë se Putini ka humbur edhe më shumë reputacionin pas kryengritjes, duket se ai beson se ka ndonjë përfitim nga Prigozhin”, tha Candice Rondo, drejtoreshë e shërbimit të inteligjencës të “Amerikës së Re”. Biznesi i Prigozhin dhe aftësitë e tij në fshehjen e fitimeve në një rrjet kompanish guaskë dhe operacione në det të hapur janë pasuri për Rusinë e Putinit, e cila është goditur nga sanksionet e ashpra ekonomike perëndimore. “Për momentin, rrjetet e kompanive fantazmë të Prigozhin janë sigurimi më i mirë që Putin ka për të ruajtur ekonominë ruse të luftës. Por nuk ka gjasa që të jetë kështu përgjithmonë. Dhe kur kjo të marrë fund, ne do të shohim ngjarje spektakolare pranë kufirit midis Polonisë dhe Bjellorusisë “, tha Rondo.
Planet në Afrikë
Ekzistojnë gjithashtu plane të Prigozhin për një rajon tjetër, shtetet e pambrojtura dhe të paqëndrueshme afrikane, ku grupi i tij tashmë ka kryer një sërë operacionesh. Pasi mercenarët u zhvendosën në Bjellorusi, Prigozhin sugjeroi që ai të mbetej i fokusuar në këtë treg kyç afrikan. Forcat e tij ishin të përfshira tashmë në aktivitete në Sudan, ku Wagner furnizonte milicinë që luftonte kundër ushtrisë sudaneze dhe ishin aktive në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Libi. Ata gjithashtu mund të shohin një mundësi në Niger, pas grushtit të shtetit të fundit ushtarak që kërcënon të nxisë një krizë të madhe rajonale. Prigozhin së fundmi tregoi në një mesazh në “Telegram” se Wagner mund të jetë gati të ofrojë shërbimet e tij atje. “Mijëra ushtarë të Wagnerit janë në gjendje të rivendosin rendin dhe të shkatërrojnë terroristët, duke i penguar ata të dëmtojnë popullsinë paqësore të shteteve”, tha ai, duke rikujtuar sa efikas është grupi.
Sfida ndaj Putinit
Duhet theksuar se dënimi i Prigozhin bie ndesh me qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, e cila kërkonte “lirimin e shpejtë” të presidentit të Nigerit Mohamed Bazum nga ushtria. Dhe këtu gjërat bëhen interesante për Rusinë, duke sfiduar Putinin dhe duke shmangur ndëshkimin, Prigozhin duket se ka ndërtuar dhe mbajtur një qendër rivale graviteti ndaj Kremlinit. Tatyana Stanovaya, një bashkëpunëtore në Qendrën Carnegie, tha në një analizë të fundit se Prigozhin ndërpreu në mënyrë efektive “fuqinë vertikale” të Rusisë, sistemin afatgjatë të sundimit të Putinit nga lart-poshtë. “Në vend të një dore të fortë, ka dhjetëra mini-Prigozhinë dhe ata nuk janë më pak të rrezikshëm. Ata të gjithë e dinë shumë mirë se është koha për të marrë armët dhe për t’u përgatitur për luftën për pushtet pas Putinit”, tha ajo.