Saturday, March 7, 2026

Apeli anulon aktvendimin e Themelores për lirimin e të dyshuarve për transportin e 1 mln eurove

Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj tre të pandehurve të akuzuar për transportin e 1 milion eurove, të cilat u kapën në pikëkalimin kufitar në Merdar. Çështja tani është kthyer në rivendosje.

Kolegji i Apelit ka gjetur se aktvendimi i ankimuar është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje që ndërlidhet me zbatimin e gabuar të dispozitës materiale, për shkak se gjykata e shkallës së parë, me rastin e refuzimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit, nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme se si ka ardhur në përfundim lidhur me mosekzistimin e dyshimit të bazuar.

Po ashtu, ka gjetur tutje se arsyetimi i aktvendimit të ankimuar rezulton të jetë i përgjithësuar, i paqartë dhe në disa pjesë edhe kontradiktor.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin PPPS.nr.10/2026, i datës 27.02.2026, ndaj të pandehurve: E.A., A.K. dhe A.L., për shkak të veprës penale Shpërlarja e parave nga neni 302, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 par.1 pika 1.1 të ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimit e Financimit të Terrorizmit, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtit i ka liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri nga data 27.02.2026”, thuhet në vendimin e Apelit.

Prokuroria Speciale ishte ankuar pasi Themelorja refuzoi kërkesën për paraburgim të tre të dyshuarve, duke i liruar. Në arsyetimin e Themelores thuhej se nuk ka pasur as prova minimale për veprën për të cilën akuzohen.

Të dyshuarit u kapën duke transportuar 1 milion eurot e padeklaruara të fshehura në një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e një minibusi. E.A. po drejtonte mjetin. Njëri prej të dyshuarve, A.K., ishte polic në Tiranë që u suspendua pas arrestimit.

Në brendi të minibusit janë gjetur 18 pako me para, të përbëra nga bankënora të ndryshme prej 10, 20, 50, 100 deri në 200 euro.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer