Kandidati për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka nënshkruar sot marrëveshjen e koalicionit dhe mbështetjes me Kryetarin e Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë, Ergin Kanin.
Marrëveshja, e cila vjen në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit, shënon një hap të ri në bashkëpunimin ndërmjet forcave politike në qytet, me synim ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët për të gjithë qytetarët.
“Një hap tjetër i rëndësishëm për të ardhmen e Mitrovicës. Me mikun tim, Ergin Kanin, Kryetar i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë, sot nënshkruam marrëveshjen e koalicionit dhe mbështetjes për mua në zgjedhjet e 9 nëntorit për Kryetar të Mitrovicës,” ka shkruar Tahiri në postimin e tij.
Sipas Tahirit, koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për zhvillim dhe përfshirje të barabartë të të gjithë komuniteteve në jetën publike të Mitrovicës.
“Koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar që çdo qytetar i Mitrovicës të ketë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë në qytetin tonë,” ka shtuar ai.
Në fund të reagimit të tij, Tahiri ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe besimin e dhënë.
“Mitrovica është shtëpia jonë e përbashkët,” ka përfunduar ai.