Një aksion i njësive hetimore të Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për një vjedhje të rëndë, e cila kishte ndodhur muajin e kaluar në fshatin Beqiq të Vushtrrisë.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ishte raportuar më 8 shtator 2025, në orën 15:45, nga ankuesi Fatmir Imeri, pronar i firmës “I.S.P.E Group”, e cila merrej me prodhimin e betonit dhe asfaltit, por aktualisht ndodhej jashtë funksionit.
Hetimet fillestare kishin konstatuar se persona të panjohur kishin dëmtuar rrethojën e objektit dhe kishin hapur me forcë derën, duke vjedhur dhe demoluar pajisje elektrike si trafo, ndërprerës të rrymës, ormanë elektrikë dhe çelësa pune, me një dëm të vlerësuar rreth 30.000 euro.
Pas zhvillimeve hetimore dhe mbledhjes së provave materiale e dëshmive, më 23 tetor 2025, rreth orës 06:00, policia ka realizuar një urdhër-kontroll (PPR.nr.183/2025) të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, Dega në Vushtrri, në shtëpinë e të dyshuarit Liridon Sejdiu rreth 41-vjeçar në fshatin Prelloc të Skenderajt.
Gjatë kontrollit, i dyshuari është arrestuar në shtëpi, ndërsa telefoni i tij është konfiskuar si provë materiale.
Me vendim të Prokurorit të rastit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa është dërguar në mbajtje.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse të hetimeve lokale dhe rajonale, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.