Është arritur marrëveshja në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe zyrtarëve të qeverisë.
Kështu ka bërë të ditur Ardian Megjani, avokati i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
Megjani përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është përfunduar me sukses procedura e çështjes penale, lidhur me ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, të datës 13.07.2023.
“Pas seancave dhe negociatave në procedurën gjyqësore dhe të ndërmjetësimit, është përfunduar me sukses procedura e çështjes penale, lidhur me ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, të datës 13.07.2023. Marrëveshja e nënshkruar në mes të palëve është dorëzuar tek gjykata, dhe, e njëjta ka fuqinë përmbaruese, duke proceduar tutje me aprovim, hudhje të aktakuzës, dhe pushim të procedurës penale.” – ka shkruar ai.
Tutje ai ka përgëzuar palët e përfshira në këtë procedurë.
“Përgëzime për të gjitha palët e përfshira në këtë procedurë, përfshirë gjykatën dhe prokurorinë për qasjen konstruktive!” – ka përfunduar ai.
Çfarë kishte ndodhur?
Një përleshje fizike kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës në korrik të vitit të kaluar.
Kjo teksa po fliste kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të cilit deputetja Ganimete Musliu i kishte thënë “rrenc”.
Deputetët opozitarë janë parë duke u afruar te foltorja e Kuvendit të Kosovës, derisa më pas nis përleshja. Besnik Bislimi, zv. kryeministër, e hoqi një letër të vënë nga opozita.
Kjo e kishte acaruar deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili kishte hedhur ujë nga një shishe në drejtim të zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe më pas, përleshja eskaloi ku ministrat e Qeverisë sulmuan deputetin Lushtaku dhe të tjerët që dolën aty.