Saturday, January 10, 2026

Artikulli me fakte të pakundërshtueshme nga Rajoni.org, reagon Komuna e Skenderajt: Kontrata është e nënshkruar nga AQP

Rajoni sot gjatë ditës ka publikuar hulumtimin dhe ka dokumentuar me prova së si komuna e Skenderajt po faturohet me vetëm 9 cent dhe 17 cent për litër naftë, në një kohë kur në tregun e Kosovës një litër naftë shitet momentalisht rreth 1 euro e 17 cent.

Sipas faturave të siguruara e të publikuara nga rajoni.org del se kjo komunë po faturohet më lirë për një litër naftë sesa për një litër ujë, i cili aktualisht në treg kushton rreth 50 cent.

Pikërisht për këtë dallim të madh në çmime, janë shtuar dyshimet se këtu mund të ketë dallavere, manipulim të faturave ose ndihmës të pushtetit për shmangie të detyrimeve tatimore.

Lidhur me këtë lajm të rajoni.org ka reaguar komuna e Skenderajt.

Sipas komunës, kontrata për furnizim me derivate nuk është nënshkruar nga Komuna e Skenderajt, por nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), e cila është institucion kompetent dhe i pavarur. AQP, sipas ligjit, çdo muaj përcakton çmimin referues të naftës në bazë të bursës ndërkombëtare dhe e dërgon tek furnizuesit, ndërsa institucionet publike, përfshirë komunat, vetëm e zbatojnë çmimin e përcaktuar, pa asnjë ndikim apo vendimmarrje.

Reagimi i plotë:

REAGIM PUBLIK – DEMANTIM I LAJMIT TË PAVËRTETË

Lidhur me lajmin e publikuar nga portali Rajoni, i cili pretendon për “dallavere” në Komunën e Skenderajt lidhur me çmimin e naftës, sqarojmë opinionin publik se ky lajm është i pavërtetë, tendencioz dhe shpifës.

Kontrata për furnizim me derivate NUK është e nënshkruar nga Komuna e Skenderajt, por nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), institucion kompetent dhe i pavarur, sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas Kontratës nr. UA/2016-24-2858-1-1-1/C492, AQP është autoriteti kontraktues që:
• çdo muaj, në bazë të bursës ndërkombëtare (berzës),
• përcakton dhe dërgon çmimin referues të naftës tek furnizuesit,
• ndërsa institucionet publike, përfshirë komunat, vetëm zbatojnë çmimin e përcaktuar, pa asnjë ndikim apo vendimmarrje në formimin e tij.

Kjo është e saktësuar qartë edhe në Kushtet e Veçanta të Kontratës, Pjesa 3, Neni 18 – Pagesat, ku përcaktohet mënyra e kalkulimit dhe zbatimit të çmimeve sipas listës mujore të dërguar nga AQP.

Për rrjedhojë, çdo tentativë për ta lidhur kryetarin e komunës Sami Lushtaku apo Komunën e Skenderajt me manipulim çmimesh është dezinformim i qëllimshëm dhe tentativë për të mashtruar opinionin publik.

Portali në fjalë, fatkeqësisht, në vazhdimësi prodhon lajme tendencioze dhe të pavërteta. Për çdo lajm që përmban shpifje, insinuata apo dëmtim të imazhit institucional, do të ndërmerren masa ligjore, pa asnjë hezitim.

Komuna e Skenderajt mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, ligjshmërisë dhe interesit të qytetarëve.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer