Ballkani e ka mposhtur me rezultat 2-0 skuadrën e Feronikelit për të vazhduar me fitoren e dytë në Albi Superligën e Kosovës derisa Llapi mposhti Dukagjinin me rezultat po ashtu të njëjtë 2-0
Kanë përfunduar edhe dy ndeshjet e Albi Superligës të parapara për t’u luajtur gjatë ditës së diele.
Ballkani – Feronikeli ’74 2-0
Kampioni në fuqi ka arritur fitore edhe në ndeshjen e dytë të sezonit të ri, duke e mposhtur skuadrën e promovuar sivjet në Superligë, atë të Feronikelit. Djemtë e Ilir Dajës kaluan në epërsi në fund të pjesës së parë kur Albin Berisha shënoi gol në minutën e parë shtesë të kësaj pjese. Në pjesën e dytë kampionët shënuan përsëri dhe goli erdhi në minutën e 67-të me një autogol të Ramadanit. Me këtë fitore Ballkani ka pikët e plota nga dy ndeshje sa ka zhvilluar në Albi Superligën e Kosovës dhe është në vendin e dytë pas Malishevës. Ndeshjen e radhës kampionët e zhvillojnë si mysafirë i nënkampionit të Kosovës, Dritës së Gjilanit derisa Feronikeli ’74 do të luanë kundër Gjilanit në shtëpi.
Llapi – Dukagjini 3-0
Edhe kjo një ndeshje interesante në xhiron e dytë të Albi Superligës së Kosovës, pasi që këto dy skuadra edhe këtë sezon e kanë synim që të luajnë në Europë në sezonin e ri. Llapi ka arritur fitoren e parë në Albi Superligë pasi që ndeshjen e parë e humbi si mysafirë i Dritës. Pjesa e parë përfundoi pa gola kurse të dy golat llapjanët i shënuan në pjesën e dytë. Fillimisht shënoi Blakçorri në minutën e 68-të kurse rezultati u dyfishua në minutën e 78 me gol të Muhamet Hysenit. Llapjanët shënuan gol edhe në minutën e 88 me Selimin për ta trefishuar rezultatin. Me këtë fitore Llapi ngjitet në pozitën e 5 derisa dukagjini është në pozitën e parafundit në tabelë. Ndeshjen e radhës Llapi e luan si mysafirë i Fushë Kosovës kurse Dukagjini përballet me Lirinë.