Tri herë kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka dalë me një reagim të hapur në faqen e tyre zyrtare kundër disa mediumeve e opinionistëve mediatikë, sikurse një ditë më parë veproi Federata e Futbollit e Kosovës.
Në reagimin e Ballkanit thuhet se disa opinionistëve mediatikë pa asnjë bazë mundohen ta përlyejnë punën e madhe që bëhet në klubet kosovare, ku investohen miliona euro, duke mos treguar se cilët opinionistë e cilat mediume.
Përpos “problemeve” të veta, Ballkani i ka dalë në mbrojtje edhe FFK-së.
“Federata e Futbollit të Kosovës është organizata më e lartë e këtij sporti në shtetin tonë, të gjitha garat ku bëjmë pjesë janë nën ombrellën e saj, andaj ne jemi të prirur ta respektojmë maksimalisht këtë organ dhe e mbështesim në çdo rrugëtim që ka të bëjë me interesin e futbollit nacional”, thuhet në reagimin e tyre.
Për fund, në reagimin e tyre Ballkani ka bërë apel që të mos pengohet zhvillimi i futbollit.