Ballkani ka njoftuar largimin e futbollistit të saj, Meriton Korenica. Kampioni aktual e ka përshkruar futbollistin si model për të cilin dera e klubit do të mbetet gjithmonë e hapur.
“Kemi qenë me fat që në mesin tonë, kishim një futbollist model, siç ishit ju Meriton Korenica.
Ballkani dhe qyteti i Suharekës, do t’i ruajnë kujtimet më të mira të mundshme për ty, pasi gjithmonë ke dhënë shembullin e duhur, se si me ndershmëri, luftohet për fanellë e për klub.
Si brenda fushës, ashtu edhe jashtë saj, ti ishe modeli më i mirë i një sportisti, andaj dera e shtëpisë tonë, do të jetë gjithmonë e hapur për ty”, ka shkruar Ballkani.
“Klubi dhe tifozëria jonë, të dëshirojmë sukseset më të mëdha të mundshme në karrierën tënde.
Mirupafshim kampion”.
Korenica ishte element i rëndësishëm i Ballkanit dhe një protagonist kyç në suksesin e skuadrës që ka kulmuar me pjesëmarrje në Conference League për dy herë radhazi. Klubi suharekas nuk e ka përmendur, por siç është thënë futbollisti do ta vazhdojë karrierën në Turqi. Rahovecasi së fundmi është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjet e shtatorit të vlefshme për Euro 2024.