Thursday, June 19, 2025

Bejtush Sejdiu – Mbi tri dekada në shërbim të kombit dhe kulturës shqiptare në Austri

Bejtush Sejdiu, i lindur në vitin 1963 në fshatin Terrnavë të komunës së Podujevës, që nga mosha katërvjeçare u rrit në Prishtinë, ku edhe filloi rrugëtimin e tij arsimor dhe patriotik. Shkollën fillore e kreu në “Zenel Hajdini”, ndërsa të mesmen e vazhdoi në shkollën e mjekësisë “9 Maji”. Studimet e larta i nisi në Universitetin e Prishtinës si Teknik Laborant për Biologji, ku përfundoi dy vite para se të migronte në Austri, duke mos i përfunduar studimet për shkak të rrethanave të asaj kohe.

Që në moshë të re, Bejtushi u përfshi në lëvizjet studentore dhe politike të Kosovës. Ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat historike të vitit 1981 dhe u angazhua fuqishëm në Forumet e Rinisë në Kodrën e Trimave në Vranjevc. Kontributi i tij në këtë periudhë ishte dëshmi e përkushtimit ndaj çështjes kombëtare dhe lirisë së popullit shqiptar.

Në qershor të vitit 1989, ai emigroi në Linz të Austrisë, ku vazhdoi angazhimin atdhetar si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke u bërë një ndër aktivistët më të palodhur të degës së LDK-së në Linz. Për tri vite radhazi ai udhëhoqi Klubin “Kosova” në Linz dhe dha kontribut të veçantë në organizimin e bashkatdhetarëve për aksionin e njohur të 3%-shit, ndihmë kjo e vazhdueshme për qeverinë në ekzil të Kosovës, të udhëhequr nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

Me fillimin e organizimit më të gjerë të komunitetit shqiptar në Austri, Bejtush Sejdiu u bë pjesë aktive e nismës së profesor Skënder Gashit në Vjenë për regjistrimin dhe angazhimin e diasporës në të gjithë territorin e Austrisë. Ai kontribuoi edhe në Fondin “Vendlindja Thërret”, duke mbështetur fuqishëm përpjekjet për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Bejtushi u bë nismëtar i organizimeve kulturore dhe sportive në Linz, ku të gjitha të ardhurat nga këto aktivitete shkonin për mbështetjen e luftës çlirimtare. Ndihmat e mbledhura financiare përmes aksioneve si “Llapi ndihmon Llapin” dhe “Drenica ndihmon Drenicën” u dërgoheshin shtabeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonat përkatëse të luftës.

Me fillimin e viteve të luftës, Bejtush Sejdiu u shpërngul nga Oberösterreich në Steiermark (Weiz) dhe më pas në Graz, ku riaktivizoi nën-degën e LDK-së në Steiermark, duke u zgjedhur kryetar i saj. Edhe në këtë fazë ai vazhdoi pa u ndalur me angazhimin për çështjen kombëtare dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.

Për më shumë se tri dekada, Bejtush Sejdiu ka qenë shembull i përkushtimit, punës dhe patriotizmit në shërbim të kombit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e diasporës shqiptare në Austri.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer