Bekim Jashari ka reaguar në Facebook duke i cilësuar si të turpshme dhe të papranueshme disa deklarata të individëve dhe politikanëve të vendit, sidomos atyre që thirren si “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari, të cilët kanë krahasuar veprimet legjitime të Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri me krimet e regjimit gjenocidal të Slobodan Millosheviqit.
Në reagimin e tij, Jashari thekson se krahasime të tilla nuk janë thjesht padije ose lapsus politik, por fytyrë e rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Ai shprehet se veprimet e shtetit të Kosovës, përfshirë shuarjen e strukturave paralele ilegale dhe garantimin e funksionimit të institucioneve në çdo cep të vendit, nuk mund të krahasohen me sundimin e përgjakshëm të Serbisë mbi shqiptarët.
“Populli na njeh mirë. Ai nuk ka harruar të bëmat e secilit prej nesh: kush kemi qenë, çfarë kemi bërë dhe si jemi sjellë ndër vite, sidomos në momentet më të vështira për vendin. Historia nuk fshihet me deklarata ditore dhe as nuk rishkruhet për interesa politike,” shkruan Jashari, duke bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare.
Ai thekson se politika duhet të jetë instrument bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, dhe jo mjet për përçarje, relativizim të krimeve serbe dhe përfitime partiake. Jashari përfundon duke u bërë thirrje për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo interesave personale apo kalkulimeve politike afatshkurtra.
Postimi i plotë: