Avokati Mentor Beqiri i cili bënë pjesë në ekipin mbrojtës të Jakup Krasniqit, ka thënë se është e habitshme se si Prokuroria kërkon dënim prej 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, ndërkohë që kjo i bie dyfishi i dënimit të dhënë për udhëheqësit serbë.
Ai tha se fushata e terrorit ndaj shqiptarëve të Kosovës është e vërtetuar edhe në aspektin gjyqësor, duke përfshirë verdiktet e fajësisë ndaj udhëheqësve serbë nga Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Beqiri tha se ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Nikola Sajnoviq, gjenerali i ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe gjenerali i Policisë Serbe, Sreten Lukiq u dënuan secili me nga 22 vjet burgim.
Ai po ashtu tha se gjenerali i ushtrisë jugosllave, Vladimir Lazareviq dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm Dragoljub Ojdaniq ishin shpallur fajtorë dhe ishn dënuar secili me 15 vjet burgim.
“…dhe Prokuroria është habi që kërkon dënim me 45 vjet burgim, më shumë se dyfishi që ua dhanë udhëheqësve serbë”, tha Beqiri.
Ai tha se nuk qëndron pretendimi i Prokurorisë se anëtarët e UÇK-së e ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën.
“Pretendimi i Prokurorisë se zoti Krasniqi dhe anëtarët e tjerë të UÇK-së ndanin qëllimin e përbashkët për të marrë dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve, nuk qëndron kur analizohen të gjitha provat”, tha ai.
Beqiri shtoi se UÇK-ja u ngrit si lëvizje mbrojtëse e krijuar në përgjigje të kërcënimit ekzistencial me të cilën u përballë populli i shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.
“Provat që u dëgjuan në këtë çështje tregojnë se UÇK-ja nuk u krijua si një organizatë që kërkonte marrjen e pushtetit. Ajo u ngrit si një lëvizje mbrojtëse e krijuar në përgjigje të kërcënimit ekzistencial dhe të menjëhershëm më të cilën u përballën populli shqiptar i Kosovës të cilët pësonin shtypjen e gjerë dhe dhunën e ushtruar nga forcat serbe”, tha Beqiri.
Avokati Beqiri theksoi se kjo ishte konfirmuar edhe nga viktimat në këtë çështje duke marrë shembull njërin prej tyre i cili sipas tij kishte thënë se “UÇK-ja po e mbronte popullsinë duke mbrojtur vendin dhe njerëzit”.