Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri ka reaguar ashpër pas publikimit të pamjeve ku shihet vendosja e betonit në zonën e Kalasë së Qytetit dhe pranë Urës së Gurit, dy monumente të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Në një reagim publik, LDK e ka cilësuar këtë veprim si një “skandal të paprecedentë” dhe ka akuzuar institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Kulturës dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore, për heshtje dhe neglizhencë.
“Ndërsa në Prishtinë bllokohen projekte të rëndësishme për shkak të përkatësisë politike të udhëheqjes komunale, në Vushtrri lejohet betonizimi i një prej zonave më të rëndësishme arkeologjike të vendit”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Partia ka ngritur akuza për standarde të dyfishta nga institucionet qendrore, duke theksuar se trashëgimia në kryeqytet mbrohet me rigorozitet vetëm kur projektet janë të LDK-së.
LDK ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente nga ana e institucioneve shtetërore për të ndalur dëmtimin e asaj që e cilëson si një trashëgimi “të pakthyeshme” për identitetin historik të qytetit.