E premte, 1 Nëntor, 2024

Birra, mish e këngë- Bulliqi në shoqëri të biznesmenit që mori 2.5 milionë euro nga Komuna e Podujevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të marrë pjesë në ceremoninë e vënies së themelit të Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë. Gazeta Insajderi në mars të këtij viti kishte raportuar lidhur me tenderin e kësaj shkolle, ku përkundër kriterit kryesor që ishte ‘çmimi më i ulët’, fituese ishte zgjedhur kompania me çmim për gjysmë milion euro më të shtrenjtë se vlera e parashikuar. Por nuk mbetet me kaq, pronari i kompanisë fituese, Shaip Shabani, shihet nën shoqërinë e Bulliqit të Podujevës, gjatë një ‘neje’ me mish, birra e muzikë.

Me 25 prill të vitit 2023, ishte hapur tenderi për ndërtimin e shkollës ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë. Komuna për këtë projekt kishte vendosur vlerën e parashikuar prej 2 milionë euro.

Për këtë projekt kishin garuar nëntë kompani dhe grupe kompanish.

Por, edhe pse kishte kompani garuese që ofronin çmim më të lirë, komuna kishte konsideruar që ato nuk i plotësojnë kushtet dhe fitues u zgjodh grupi “Konstruktori ING 1969” & “Flori eng” NGA Prishtina, me vlerë të ofertës 2,565,696.26 euro.
Në muajin gusht të 2023-tës, ishte marrë vendimi për pezullimin e aktivitetit të prokurorimit.

Pasi që kompania “Grandelite L.L.L” dhe “Arad 94”, nuk ishin pajtuar me vendimin e Komunës kishin parashtruar ankesë në OSHP. Lënda kishte shkuar në rivlersim.

Por, për të dytën herë, me 22 shkurt, fituese ishte zgjedhur kompania “Konstruktori ING 1969” dhe “Flori eng”, me vlerë të ofertës prej 2 milionë e 565,696.26 euro.

Pra, gjysmë milion euro është çmimi i tejkaluar krahas vlerës së parashikuar të kontratës, të cilën komuna ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e shkollës.

Ani pse, kriter kryesor i dhënies së tenderit ishte “çmimi më i ulët”.

Pronar i njërës kompani fituese është biznesmeni Shaip Shabani. Shabani është pronari i kompanisë “Konstruktori ING 1969”.

Shaip Shabani ishte parë gjatë një ‘neje’ në një tavolinë me kryetarin Shpejtim Bulliqi.

Sipas videos që ka siguruar Insajderi, duket se Shpejtim Bulliqi dhe Shaip Shabani kanë shoqëri të mirë me njëri-tjetrin.

Nuk dihet se për çka idhin mbledhur, por po festonin me muzikë live, mish e birra.

Vlend të theksohet se kjo nuk është hera e parë që Bulliqi i shpërblen me tenderë dostat e tij.

Ndërkohë Komuna e Podujevës sot ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti, nesër në ora 11:00 do të marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurëthemelit të Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë.

“Kryeministri Kurti do ta marrë pjesë në ceremoninë e vënies së gurit themeltar të Shkollës së Mesme Ekonomike në Podujevë. Njoftohen të gjitha mediat se të shtunën, më 8 qershor 2024, në orën 11:00 do të vihet guri themeltar për ndërtimin e objektit të Shkollës së Mesme Ekonomike “Isa Boletini” në Podujevë. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës – z.Albin Kurti, Kryetari i Komunës së Podujevës – z.Shpejtim Bulliqi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – znj.Arbërie Nagavci dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës e zyrtarë komunalë”, thuhet në njoftimin e komunës. /Insajderi.org

 

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer