Gati dhjetë vite pas ngjarjeve që kishin trazuar Qendrën e LVV-së në Skenderaj dhe pesë vite pas vdekjes së Ajnishahe Halimit, bashkëshorti i saj, Emin Daka ka hedhur akuza të rënda për trajtimin që, sipas tij, i ishte bërë nga Vetëvendosja gruas së tij që po luftonte me kancerin.
Ajnishahe Halimi do të mbahet mend jo vetëm si koordintare e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj. Do të kujtohet për aktivitetin e saj të hershëm në lëvizjen e pajtimit të gjaqeve gjatë viteve ’90. Për shërbimin në Kompleksin ‘Adem Jashari’ në Prekaz.
Aktivistja, e cila vdiq pas një lufte sfiduese me kancerin në vitin 2019, nga perspektiva e Lëvizjes Vetëvendosje do të kujtohet si “disidentja” e parë.
Disa ngjarje të vitit 2015, nxorën një mal pakënaqësish në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, të cilën e drejtonte Halimi. Ajo, me shumë guxim e kritikoi Vetëvendosjen për “përdorim të metodave diktatoriale”.
Kundërpërgjigja e Lëvizjes Vetëvendosje ishte shkarkimi i saj nga organet drejtuese dhe anëtarësia, po atë vit. Subjekti që sot udhëhiqet nga Kurti, nuk e përkujtoi Halimin asnjëherë pas vdekjes.
Gati dhjetë vite pas këtyre ngjarjeve dhe pesë vite pas vdekjes së Halimit, bashkëshorti i saj, Emin Daka ka hedhur akuza të rënda për trajtimin që i ishte bërë gruas së tij që po luftonte me kancerin.
Marrë shkas nga mbrojtja që i dha këtë javë Kurti bashkëpunëtores së tij, Mimoza Kusari-Lilës, duke i përmendur “sulmet” e mediave ndaj “gruas që po luftonte me kancerin”, Daka ia ka rikujtuar Kurtit rastin e bashkëshortes së tij.
“Sapo e zura vetëm një gjysmëfjalie të skizofrenit! E kualifikova rëndë, por do ta merrni vesh pse…”, ka shkruar Daka në një shkrim të publikuar në rrjetet sociale. “Në këtë gjysmëfjalie, dëgjova se tha që… një grua të diagnostikuar me kancer (e kishte fjalën për M.K., sepse kamerat e fiksuan atë) e paskan sulmuar disa…, bëri një pushim të shkurtër, për të krijuar efekt dhe tha disa bu-rra!, prapë pushim dhe vazhdoi … disa bu-rreca! … disa bub-rreca!”.
Daka e ka akuzuar Vetëvendosjen si fajtore për “vrasjen shpirtërore” të bashkëshortes së tij.
“Po ti, o skizofren, si ke qenë sjellë me një grua, jo vetëm të diagnostikuar me kancer, po e cila po luftonte për jetë a vdekje me këtë sëmundje, në fazat e fundit të saj, e cila edhe e vrau (pasi e vratë shpirtërisht ju më parë)”, ka shkruar ai.
Për Emin Dakën, kryeministri Kurti është një “hipokrit i ndyrë”.
“Një grua e cila pati rënë viktimë e idealizmit të saj dhe besimit naiv në kauzat tua të rreme, duke i menduar si të vërteta. Ia pate ndërsyer zagarët tu, e vetë u skajove duke i larë duart, si Pilati…Hipokrit i ndyrë!”, ka shkruar Daka.
Ajnishahe Halimi vdiq pas një beteje sfiduese me kancerin në shtatorin e vitit 2019, disa vite pasi ishte përjashtuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Lëvizja Vetëvendosje, nuk e kujtoi asnjëherë post-mortum figurën e Halimit, as kontributin e saj për partinë.