Komuna e Vushtrrisë i ka dhënë tender prej 60 mijë eurosh, bashkëshortit të ish-drejtoreshës së Inspektimeve, Shqiponjë Mikushnica. Kontrata ka të bëj me zërim dhe ndriçim. Enver Mikushnica ka dal i pari në mesin e tre emrave që ofertuan për këtë tender.
Në tenderin e hapur nga Komuna e Vushtrrisë për “Shërbime me Tenda, Zërim dhe Ndriçim” në garë ishin disa kompani që dhanë ofertat e tyre.
Kompania që u përzgjodh është ajo e “Enver Mikushnica B.I”, me çmimin e ofertës për njësi 1 mijë e 222 euro.
Ndërsa u lë anash kompania që kishte çmimin me të ulët prej 746 euro.
Mikushnica do marrë gjithsej 60 mijë euro për një vit.
Kjo nuk është hera e parë që bashkëshorti i ish drejtoreshës fiton tender në Vushtrri. Edhe në kohën kur Shqiponjë Mikushnica ishte drejtoreshë, burri i saj kishte fituar tender.
Në vitin 2022 ai kishte fituar një tender afro 1 mijë euro në rastin e organizimit të ditës se çlirimit për shërbime te zërimit dhe ndriçimit.
Lidhja e Mikushnicës me pushtetin në Vushtrri
Shqiponjë Mikushnica, bashkëshortja e Enver Mikushnicës, ishte pjesë e kabinetit të kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idiriz.
Ajo ishte drejtoreshë e Inspektimeve, ndërsa para një viti ishte liruar nga kjo pozitë.
Lidhur me ndikimin e mundshëm Insajderi ka pyetur vetë fituesin e tenderit, ai ka mohuar një gjë të tillë.
“Jo nuk ka pas ndikim, gjithçka ka shku në bazë të procedurave i kam pas dokumentat në rregull nuk është hera parë që fitoi tender”, tha ai./Insajderi