Në Kroaci humbja e Dinamo Zagrebit në Prishtinë kundër Ballkanit konsiderohet një nga disfatat më të turpshme të gjigantit kroat në garat evropiane.
Ballkani triumfoi 2:0 kundër Dinamo Zagreb të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit C në Ligën e Konferencës.
Gazetat më të mëdha kroate raportuan për disfatën e Dinamos nga Ballkani, me kritika të mëdha për krerët e klubit e trajnerin.
“Nuk e dimë nëse mund të shkruajmë, duke pasur parasysh se sa e dobësuar dukej Dinamo në Prishtinë, se është një sensacion, por humbja e skuadrës së Jakiroviqit është ende befasi. Ballkani padyshim që ka arritur fitoren më të madhe duke pasur parasysh renditjen e klubeve dhe blutë kanë pësuar një nga humbjet më të rënda evropiane sipas të njëjtave kritere” – shkroi të premten Jutarnji.hr.
Gazeta tjetër kroate “24hata.hr” shkroi se Dinamo ishte pa asnjë “plumb” në Prishtinë.
“Turpërim në Kosovë: Dinamo pa asnjë plumb të gjuajtur humbi nga Ballkani në Ligën e Konferencës. Dinamo ishte favorit i madh në Prishtinë, por nuk e justifikoi atë status në fushë. Ballkani kaloi në epërsi në fund të pjesës së parë, ndërsa Dinamo nuk gjeti se si të përgjigjej dhe kampioni i Kosovës më vonë konfirmoi fitoren e madhe”, ka shkruar 24sata.hr.
Pas një humbje e një fitore tani Ballkani ngritët në pozitën e dytë, mbrapa vetëm Viktoria Plezen, derisa Dinamo është në vendin e tretë.