Daja i Faton Pecit, dhe vëllai i kryetarit të Leposaviçit, Lulzim Hetemi, kanë përfituar 46 mijë euro për ndërtimin e shtëpive të tyre. Këto mjete janë ndarë nga MAPL-ja në kuadër të fondit për ndërtim e renovim shtëpish. Insajderi ka kërkuar nga kjo ministri listën e plotë me emra të përfituesve, por të njëjtit nuk kanë ofruar qasje nën arsyetimin e ruajtjes së privatësisë, ndonëse listat e përfituesve të mëhershëm ishin publikuar në web-faqen e ministrisë. Ndërsa lidhur me këto fonde që u ndanë, Specialja ka nisur hetimet.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, deri më tani nuk kanë treguar emrat e përfituesve për ndërtim të shtëpive.
Megjithatë, Gazeta Insajderi nga burime ka mësuar se në mesin e përfituesve është Besim Asllani, i cili ka lidhje familjare, me ministrin Faton Peci, dhe Bashkim Hetemi, vëlla i kryetarit, Lulzim Hetemi.
Ministri Peci, personin që ka përfituar nga thirrja e MAPL-së, e ka daj.
Afërsia e tyre mund të kuptohet edhe në fotot e mëposhtme:
Peci në vitin 2023, kishte paralajmëruar se shtëpia, pranë truallit të gjyshit të tij, sërish do të ndërtohet.
Ky postim është shpërndarë edhe nga daja i tij.
Ndërsa në një postim tjetër, ministri dhe Asllani shihen se kanë dal për kafe së bashku.
“Ju tek ministrit me dal me mu“, ishte mbishkrimi i vendosur në fotografinë e tyre nga Besim Asllani.
Përveç tij, 46 mijë euro për ndërtim të shtëpisë ka marrë edhe Bashkim Hetemi, që është vëlla i kryetarit të Leposaviçit, Lulzim Hetemi.
Madje nga postimet në profilin e tij në “Facebook”, kuptohet se shtëpisë ia ka bërë “përhajrin”.
Ndërsa ka edhe foto familjare me kryetarin Hetemi.
Çka thanë dy përfituesit e fondeve pasi dolën përfitues?
Insajderi ka kontaktuar me dajën e Faton Pecit, ai ka konfirmuar se ka përfituar subvencionim.
Besim Asllani tha se nuk ka ndikuar afërsia që të dal përfitues, pasi sipas tij në luftë i janë djegur dy shtëpi.
“Jo nuk qëndron fakti qe jam përfitues me që jam daja i ministrit Peci ,por që me të drejte jam përfitues sepse mu dhe familjes time me janë djegur dy shtëpi gjatë luftës 1999. Njëra me është djegur Mitrovicën e Veriut, ndërsa sa tjetra në komunën e Leposavicit. 15 vite kam jetuar me qera mbas 1999. Kurrë asnjëherë s’kam përfituar asgjë nga komuna e as Qeveria. Unë me të drejtë kam aplikuar për rindërtim edhe në Mitrovicën e Veriut edhe në komunën e Leposaviçit, sepse me janë djegur pronat në të dy lokacionet. Andaj pse pasna qëlluar daja i ministrit aktual nuk do të thot që më cenohet e drejta për rindërtim“, tha Asllani për Insajderin.
Ndërsa Bashkim Hetemi, vëllai i Lulzim Hetemit nuk ka pranuar të deklarohet për rasti, ndonëse ka pranuar se ka përfituar 46 mijë euro.