Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se këtë të martë ka filluar ekzekutimi i pensioneve për muajin tetor, duke përfshirë rritjen prej 20 për qind për disa skema pensionesh.
Në një postim në Facebook, Murati ka theksuar se, duke filluar nga ky muaj, rritja do të aplikohet për të gjitha llojet e pensioneve, përfshirë:
-Pensionin Bazik të Moshës
-Pensionin Kontributpagues, i plotë dhe parcial
-Pensionet për Aftësi të Kufizuara
-Pensionin për Personat e Verbër
-Pensionin për Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë
-Pensionin Invalidor të Punës
-Pensionin Familjar
-Pensionin e Parakohshëm të Trepçës
“Ky është një hap i rëndësishëm për të mbështetur ata që kanë kontribuar në shoqërinë tonë dhe për t’u ofruar ndihmë atyre që kanë nevojë,” tha Murati.
Ai theksoi se ky vendim është pjesë e angazhimit të Qeverisë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.
Qeveria e Kosovës, disa ditë më parë mori vendim për rritjen e pensioneve prej 20 për qind.
Ky ndryshim prek të gjitha kategoritë e skemave pensionale të moshës, duke përfshirë pensionet bazike dhe ato kontributpaguese.
Sipas të dhënave të prezantuara pensioni bazik i moshës do të rritet nga 100 në 120 euro.
Kategoritë tjera si kontributpagues III dhe IV do të përfitojnë gjithashtu rritje përkatësisht nga 214 në 256.80 euro dhe nga 265 në 318 euro