Tuesday, August 5, 2025

“Dallaveret e Pecit?”, Pezullohet tenderi 90 mijë eurosh i Ministrisë së Bujqësisë pas akuzave për favorizim të kompanive të caktuara

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimi Rural, dje (4 gusht) ka pezulluar tenderin për “Rrenimin e objekteve ku do të ndërtohet objekti i MBPZHR-së”, për shkak të një ankese që për këtë lëndë është parashtruar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Tenderi ka vlerën e parashikuar 90,000€, zbulon portali rajoni.org.

Në ankesën e dërguar në OSHP, kompania “Ideor Construction” pretendon se dosja e tenderit përmban kritere që kufizojnë pjesëmarrjen dhe favorizojnë kompani të caktuara, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e tyre në këtë procedurë.

“Pas analizimit të dosjes së tenderit, kemi vërejtur se kemi të bëjmë me favorizim, diskriminim dhe kufizim të pjesëmarrjes në këtë tender”, thuhet në ankesë. Sipas tyre, në dosjen e tenderit është kërkuar që operatori të ketë të punësuar një teknik bagerist të certifikuar, ndonëse në Kosovë mungojnë institucionet e akredituara që ofrojnë një certifikim të tillë.

“Ne kemi bageristë me përvojë disa vjeçare, por nuk i kemi të certifikuar nga ndonjë institucion i akredituar, sepse të tilla nuk ekzistojnë”, thuhet më tej në ankesë, transmeton rajoni.org.

Ndër të tjera, “Ideor Construction” ka kundërshtuar edhe kërkesat teknike të vendosura në Aneksin 7 të tenderit, të cilat, sipas tyre, janë përpiluar në mënyrë të tillë që të përshtaten me kapacitetet e një kompanie të caktuar.

Kriteret që favorizojnë operator të caktuar e sipas OE janë vendosur në DT janë edhe:

  1. Kamion me peshë bartëse min. 10 m³ – sipas ankesës, ky kriter duhet të zvogëlohet, pasi kompania ka kamionë me kapacitet 4.76 m³ dhe në tender kërkohet vetëm një i tillë;
  2. Kamion me peshë bartëse 5-7 ton – që përjashton mjete më të vogla, si ato që zotëron “Ideor Construction”;
  3. Cisternë për ujë min. 5000 litra – për të cilën kompania pretendon se edhe cisterna më të vogla, si ajo me kapacitet 2200 litra që kanë në dispozicion, mund ta kryejnë funksionin e kërkuar.

“Pajisjet nga pika 1 deri te pika 9 duhet të hiqen ose të riformulohen sipas Ligjit për Prokurim Publik. Vetëm në këtë mënyrë do të mundësohej pjesëmarrja e të gjithë operatorëve ekonomikë dhe një garë e drejtë”, thuhet në fund të ankesës.

Kompania kërkon nga Autoriteti Kontraktues që të rishikojë dosjen dhe ta rikthejë në rivlerësim procedurën, përndryshe paralajmëron se do t’i drejtohet organeve tjera kompetente.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer