E shtunë, 16 Nëntor, 2024

“Dardanët” superfuqi në xhudo, Çullhaj fiton medalje bronzi

Në qytetin e Pejës u zhvillua Kampionati Ballkanik i Xhudos për të rritur. Në këtë kompeticion morën pjesë 9 shtete nga rajoni, duke matur forcat me xhudistët e tyre në pallatin e sporteve “Karagaqi”. Edhe një herë tjetër rezultatin më të lartë për Shqipërinë në rang ballkanik e shënoi Indrit Çullhaj, i cili ishte i vetmi nga kuqezinjtë që arriti të ngjitej në podium.

Çullhaj, ish-kampion Ballkani, fitoi medalje bronzi në peshat -73 kg, që ishte edhe një prej kategorive me konkurrencën të fortë në këtë aktivitet. Xhudisti i Tiranës kaloi me sukses tri sfidat e para, për t’u mundur më pas nga kampioni i Europës, kosovari Akil Gjakova. Megjithatë, Çullhaj reagoi mjaft mirë në duelin për medaljen e bronztë, aty ku mposhti turkun Soner Kumtas, duke siguruar një vend në podium, për t’i dhënë kështu medaljen e vetme Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik individual për të rritur. Ndërkohë, Federata Shqiptare e Xhudos vlerësoi pozitivisht edhe paraqitjen e bërë nga Jon Vrenozi, Xhovani Shkoza dhe Erisa Brahimaj, të cilët fituan ndeshje, por nuk mundën të futeshin në zonën e medaljeve.

Përfaqësuesja kuqezi shoqërohej në këtë aktivitet nga instruktori ndërkombëtar, Shkurt Çullhaj.

DOMINON KOSOVA – Dardanët konfirmohen si superfuqi në sportin e xhudos, duke i dominuar totalisht garat e Kampionatit Ballkanit të mbajtur në Pejë. Tetë medalje të arta, dy të argjendta dhe pesë të bronzta, fituan sportistët kosovarë në garat individuale për të rritur. Ndërsa Kosova u shpall gjithashtu kampione edhe në garat ekipore, duke shtuar edhe një tjetër medalje të artë, për ta çuar në total në 15 medalje bilancin në Ballkanik.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer