Prishtinë – Me titullin domethënës “Rrëfime nga lufta”, autorja Hatixhe Xani sjell një vepër të fuqishme dokumentare që hedh dritë mbi dhimbjet, lotët dhe tragjeditë që populli shqiptar përjetoi gjatë luftës së fundit në Kosovë. Libri, që sapo ka dalë nga shtypi nën përkujdesjen e shtëpisë botuese LENA GRAFIK, përfaqëson një kontribut të çmuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe dëshmive të gjalla të atyre që i mbijetuan tmerreve të luftës.
“Rrëfime nga lufta” nuk është një rrëfim personal, por një mozaik i zërave që shpesh kanë mbetur të pazëshëm – dëshmitarë të drejtpërdrejtë të dhunës, masakrave dhe traumës së pashlyeshme të shkaktuar nga regjimi serb. Me një gjuhë të ndjerë dhe stil të përkushtuar, autorja ka skalitur një kujtesë kolektive që sfidon harresën dhe kërkon drejtësi.
Postimi:
“Rrëfime nga lufta” – Dëshmi e gjallë e historisë sonë
Kam kënaqësinë të ndaj me ju përfundimin e një pune të gjatë – daljen nga shtypi të librit tim, nën përkujdesje të LENA GRAFIK.
“Rrëfime nga lufta” nuk është rrëfim personal, por është një gur i rëndë në mozaikun historik të popullit tonë, është një përpjekje për të përjetësuar ngjarjet tronditëse të luftës së fundit në Kosovë.
Në faqet e “Rrëfime nga lufta”, kam skalitur me përkushtim lotët, vuajtjet dhe dhimbjen e atyre që përjetuan tmerret e asaj periudhe të errët. Dëshmitë e gjalla të makabriteteve dhe dhunës së ushtruar nga regjimi serb janë sjellë për të sfiduar harresën dhe për t’u shërbyer brezave të ardhshëm si një thirrje për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme.
“Rrëfime nga lufta” është më shumë se një libër; është një apel për ndërgjegjësim dhe për një të ardhme ku plagët e së shkuarës shërbejnë si mësim për të mos u përsëritur kurrë më.
Me shpresë dhe përkushtim, ia dorëzoj këtë vepër lexuesit shqiptar, duke besuar se kujtesa jonë kolektive është çelësi për një të ardhme më të ndritur. Në këtë udhëtim të gjatë, mbështetja dhe mirëkuptimi i familjes sime kanë qenë drita që më ka udhëhequr, dhe mirënjohja ime më e thellë shkon për ta, për durimin dhe përkrahjen e pakushtëzuar.