E enjte, 24 Tetor, 2024

Dënohet me 1 vit burgim efektiv dhe dënim plotësues zyrtari i Komunës së Skenderajt i akuzuar për korrupsion

Mitrovicë –  Gjykata Themelore në Mitrovicë, e ka shpallur fajtorë dhe e ka dënuar me një vit burgim efektiv zyrtarin e Gjendjes Civile në Skenderaj, Kujtim Bekaj, i akuzuar për keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar, ndërsa për pikën e dytë të aktakuzës, për veprën penale falsifikim i dokumentit zyrtar është liruar nga aktakuza.

Aktgjykimi në fjalë, u shpall të merkurën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Mehmeti, raporton Betimi për Drejtësi”.

Bekaj akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile, në mënyrë të kundërligjshme në 45 raste përmes dokumenteve të falsifikuara ka lëshuar certifikata të martesave të kosovarëve me shtetas të huaj.

Po ashtu, të akuzuarit Kujtim Bekaj iu shqiptua edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vite.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit në dënimin me 1 vit burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Bekaj obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor, dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.

Kujtojmë se prokurorja e rastit, Fetije Bajrami e kishte rikualifikuar veprën penale për të akuzuarin Kujtim Bekaj nga “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-ës, në “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.1, e lidhur me nenin 81 të KPK-ës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 30 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Kujtim Bekaj, i cili në pikën e parë të aktakuzës, ngarkohet se prej vitit 2014 deri në vitin 2017, në pozitën e zyrtarit të gjendjes civile, në Komunën e Skenderajt, ka bërë lidhjen e martesave të personave kosovarë me persona me shtetësi të huaj, pa i plotësuar kushtet për lidhjen e martesës, duke mos qenë prezent personat për lidhjen e martesës, dëshmitarët, përkthyesi, pa u vertetuar identiteti i personave, dhe lidhjet e martesave i ka regjistruar në sistemin elektronik të gjendjes civile dhe ka lëshuar certifikata martesore, për 45 raste gjithsej.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Bekaj ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Kujtim Bekaj akuzohet se prej vitit 2014 e deri në vitin 2017, në pozitën e zyrtarit të gjendjes civile pranë Komunës së Skenderajt, në dokumente zyrtare ka shënuar të dhëna të rreme për personat për të cilët ka përpiluar lidhje martesore, e më pas me nënshkrimin e tij dhe vulen zyrtare ka vërtetuar dokumentet zyrtare.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Bekaj ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, nga neni 434, paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer