Prishtinë- Në Gjykatën Themelore Prishtinë, të hënën është dëgjuar dëshmitari Avdi Smajlaj, në rastin ku ish-zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke dëmtuar buxhetin publik rreth 2 milionë euro. Smajlaj tha se nuk i njihte të akuzuarit, por pasi pranoi ftesën për të dëshmuar në seancë, ka kërkuar për ta në Google.
Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke ia mundësuar OE ‘‘TCN International’’ Sh.P.K. nga Tirana që të fitojë kundërligjshëm tenderin e kontratës së lartcekur dhe se me këtë i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pyetur lidhur me Komitetin Drejtues Ndërministror për partneritet publiko- privat, dëshmitari Smajlaj ka thënë se nuk i kujtohet, pasi që në periudhën kohore prej 12 viteve ka pasur zhvillime në jetën e tij. Po ashtu, ai ka thënë se nuk i kujtohet as a ka qenë pjesë e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, apo si është zgjedhur.
Dëshmitari tha se i kujtohet se gjatë vitit 2011, kishte marrë pjesë në disa mbledhje, por çfarë mbledhje apo në çfarë cilësie nuk i kujtohej. Po ashtu, tha se nuk i kujtohej as mbledhja e 29 shtatorit 2011, e asgjë në lidhje me mbledhjen.
Tutje, dëshmitari Samjlaj ka thënë se i kujtohet të ketë dhënë deklaratë në Polici lidhur me këtë çështje penale në të cilën po dëshmon sot, por përmbajtja në detaje nuk i kujtohet, megjithatë tha se deklaratën e tij e mbështet. Ai ka shtuar se të akuzuarit nuk i ka njohur, andaj pas pranimit të ftesës ka hyrë në Google dhe i ka kërkuar të njëjtit.
Në fund, dëshmitari Smajlaj ka thënë se në vitin 2011 ka qenë ligjërues në Kolegjin “Fama”, si dhe këshilltar politik, në Ministrinë e Tregtisë, por nuk i kujtohej nëse ka pasur të hyra tjera në këtë periudhë.
Kurse, sa i përket këtij komisioni, i njëjti tha se nuk i kujtohej nëse ka marrë pagesë shtesë.
Ndërkaq, pas tij u dëgjua dëshmitari Besnik Krasniqi, i cili ka deklaruar se në vitin 2008 ishte zgjedhur anëtar i Bordit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për periudhën kohore prej 6 muajsh dhe më pas me konkurs publik për afat më të gjatë, e kjo kishte vazhduar sipas tij deri më 2015.
Lidhur me pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e 15 korrikut 2015, i njëjti ka thënë se janë mbajtur shumë mbledhje, por nëse ishte ajo për çka ishte pyetur edhe nga Policia, i kujtohet për faktin se kishte dhënë një deklaratë lidhur me atë, e të cilës deklaratë tha se i qëndron prapa.
Kurse, lidhur me pikën 6 të procesverbalit të mbledhjes ku përfshihej diskutimi dhe aprovimi i analizës teknike-financiare për transferimin e punëtoreve nga ANP në ‘‘LIMAK’’, dëshmitari Krasniqi ka thënë se ishin marrë vesh të procedojnë në Komitetin Ndërministror, nga i cili komitet mendon se kishte ardhur një vendim, por për këtë nuk ishte i sigurt.
Ai ka sqaruar se kur përmendi Komitetin Ndërministror, e kishte pasur fjalën për Njësinë për Partneritetin Publiko-Privat, si autoritet kompetent, ndërsa sa i përket punëtorëve ishte diskutuar se ishte problematike se një pjesë mbetet jashtë, ashtu siç ishte konstatuar në procesverbal dhe zgjidhja duhej të kërkohej me këtë njësi.
Në atë kohë, dëshmitari tha se i kujtohet se kryeshef i ANP-së ka qenë Bahri Nuredini, mirëpo i njëjti pas shikimit të procesverbalit tha se kryeshef ka qenë Agron Mustafa dhe jo Bahri Nuredini.
Krasniqi ka thënë se si anëtari i Bordit nuk i kujtohet nëse ka pasur raport profesional apo procedural me të akuzuarin Driton Mehaj.
Pas kësaj, prokurori Milot Krasniqi ka pasur vërejtje lidhur me dëshminë e dëshmitarit Avdi Smajlaj, pasi që është e pamundur që një person të ketë angazhime të shumta, të ketë një nivel të tillë të edukimit dhe të mos i kujtojë asgjë nga veprimtaria e tij.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Mehaj, avokatit Ilir Rashiti pati vërejtje në dëshminë e dëshmitarit Besnik Krasniqi, me arsyetimin se i njëjti në shumicën e rasteve preferonte nuk dëshmojë “për atë çka di, çka është në dijeni, por preferoi të përgjigjej me ndoshta”.
Seancat e radhës për këtë çështje u caktuan për 12 dhe 13 tetor 2023.
Fillimisht, trupi gjykues në përbërje nga gjykatësit Kujtim Krasniqi, Lutfi Shala dhe Vesel Ismaili, kanë aprovuar propozimin e Prokurorisë Speciale që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet përfaqësuesi i AShNA-së, Agon Krasniqi.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në periudhën kohore shtator 2011 deri në gusht 2018 në vazhdimësi në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ia kanë mundësuar OE “TCN International” Sh.P.K. nga Tirana të përfitojë me rastin e dhënies së kontratës për aktivitetin e prokurimit ANP/KM-11-47-111 kundërligjshëm tenderin “Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese”.
Tutje, sipas aktit akuzues Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Ndërsa, thuhet në aktin akuzues se kontrata është nënshkruar më 6 tetor 2011, duke e ditur se “rilokimi i sistemeve ekzistuese” ishte pjesë e kontratës “PPP-09-001-611 e 12 gushtit 2010”, e lidhur në mes të KDNM-së të Projektit të Partneritetit Publiko-Privat (PPPP) dhe kompanisë “LIMAK Kosova Internacional Aeroport” J.S.C.
Andaj, sipas aktit akuzues, të akuzuarit e kanë futur rilokimin e sistemeve ekzistuese në tenderin e ri, edhe pse ky ka qenë obligim kontraktual i kompanisë ‘‘LIMAK’’, ndërsa thuhet se gjatë zbatimit të projektit, nuk i kanë ndërmarrë masat mbrojtëse ndaj OE të parapara me ligj dhe kontratë, përfshirë konfiskimin e garancisë së ekzekutimit të kontratës apo shkëputjen e kontratës për shkak të shkeljeve të kryera nga OE ‘‘TCN International’’ Sh.P.K.
Kjo pasi që sipas aktakuzës, në mënyrë të kundërligjshme është bërë zgjatja e afatit të kontratës nga 523 ditë, në 1 mijë e 700 ditë dhe thuhet se edhe pas zgjatjes së këtij afati, kontrata nuk është përfunduar, por e njëjta është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ky operator më 19 shtator 2016, marrë për bazë se deri në këtë datë i ishin paguar 97% e mjeteve financiare nga vlera e përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.
Ndërsa, thuhet se për kryerjen e punëve të papërfunduar AShNA kishte lidhur kontratë me OE ‘‘Leonardo’’, nga Italia për aktivitetin me numër të prokurimit 254-18-7340-2-1-5 “Rilokimi dhe azhurnimi i APP/TËR” më 31 gusht 2018, në vlerë 386 mijë e 180 euro, me të cilat veprime thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro.
Me këto veprime, Nuredini dhe Mehaj po akuzohen se në bashkëveprim dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë