E premte, 15 Nëntor, 2024

Dëshmitë për Masakrën e Rrezallës që s’i dëgjoi askush

Mehreme Aruqi nuk i ka harruar britmat e vajzës së saj dhe të vajzës së kunatit kur panë se si policia serbe ua pushkatoi baballarët e tyre, bashkë me 96 persona të tjerë në Rezallë të Skenderajt. Ajo kujton mëngjesin e 5 prillit të vitit 1999, kur ushtria serbe kishte hyrë me tanke në fshat dhe kishte mbledhur civilët në qendër të fshatit duke i ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.

Kolona me gra dhe fëmijë, pak minuta pasi ishin larguar me detyrim nga vendi ku burrat po mbaheshin të ndaluar nga serbët, kishin dëgjuar breshëri të gjata armësh.

“Ne veç i kemi parë pasi kemi dalë poshtë nga shtëpia e Hashimit dhe i kemi dëgjuar krismat. Vajza ime dhe ajo e kunatës kanë hip në një stam nalt dhe i kanë shikuar dhe kanë bërtitur ato të dyja duke thënë vallahi i kanë vra oj dadë. I thashë jo dadës, nuk i kanë vra. Vallai thanë tanë i renditën dhe i kanë vra aty”, ka rikujtuar Mehremja fjalët e vajzave.

Ajo rrëfen se si e shpëtoi djalin nga ekzekutimi që iu bë bashkëshortit të saj, kunatit dhe bashkëfshatarëve atë ditë në fshat.

“Djalin e kam pasë me veti të tretin dhe e kam detyruar diqysh të shtiret si budalla, dhe e kam kap për krahu unë dhe çika jem e treta. Kanë ardhë, na kanë shti automatin dhe na ka thanë lëshoje. I thashë o e kam të sëmurë djalin, nuk mundem ta lëshoj. Tha lëshoje ta heqim qafesh. Serbisht folke, po e merrsha vesh diçka. Edhe nuk e lëshova”, ka thënë Mehremja.

Fatin e njëjtë e kishte edhe djali i vogël i saj, i cili kishte mbijetuar në Masakrën e Vërbovcit, pasi me të dëgjuar krismën e parë ishte rrëzuar.

“Tjetri më ka mbet në Vërbovc, i vogli. Edhe atje kemi qenë dhe ka ardhur ajo zonja e shtëpisë edhe më tha a don me çu djalin me djemtë e mi se po donë me shku në mal. Thashë ka të shkojnë djemtë e tu edhe i jemi. Në atë masakër ka shpëtuar djali, ai i ka pasë 14 vjet dhe ka shkuar me ta. U kanë edhe një djalë moshatar i tij, edhe ai u vra, por ky, fati ka pasur ymër dhe kur ka krisë pushka e parë tha jam ra dhe ka shpëtuar”, tregon ajo.

Djali që i ka shpëtuar ekzekutimit ka dhënë dëshmi në Prokurori, por që pastaj nuk ka dashur të flasë për atë që kishte ndodhur.

“Djalin që ka shpëtuar në Verboc e kanë pyetur, ai ka folur se qysh ka qenë puna. Por s’ka shqiptar që e shtin me fol ma. E kam dhënë dëshminë po thotë, se më nuk po don me e pyet asgjë”, ka thënë ajo.

Në Masakrën e Rezallës ishte vrarë kunati i saj, Isufi, i cili kishte lënë pas gruan Hatën, dhe fëmijët, më të madhin 12 vjeç. Ajo rrëfen tmerrin që kishte përjetuar ditën e 5 prillit të 1999-s.

“Përpara burrat dalin, na përmas qaty pritshum. Ata u e sillshin andej. Këndë e nxajshin anash e goditnin me shqelma as nuk kqyrshin a është grua a fëmijë. Edhe është ajo farë shtëpie si me ballkon, ka pasë shumë policë edhe folshin. I thashë atij burrit tim, kallxom bre diçka, se pe di që tanve po dojnë me na vra po çka po thojnë. Njëherë ja nisi, tha s’po ju mbushet numri, e kanë qat problem. Po thojnë a me marrë edhe ndonjë grup gra e ndonjë grup fëmijë për me u mush numri. Tha se pak po ju doken. Aty e dita që veç po presin kur”, ka treguar ajo.

Hata Aruçi më tej ka treguar se si i ndanë nga burrat dhe i detyruan të ecin nga dy.

“Hajdeni thanë krejt gratë e fëmija me dalë për dere, rresht për dy, veç. Tre hiç. Kënd e shihshin tre, e rrehshin e shtishin në rresht. Rresht për dy. Veç më kujtohet më së shumti një djalë u kanë me babën e vet e ai baba i vet u kanë pa sy, nuk ka pa mirë vetë. Ai u niske me ardhë prej neve, i thojsha hajde me fmi o ti djalë. Po ju dhimke baba i vet e u kthejke apet. Tri herë. Edhe këta burrat çka mbetën ul, i thojshin shko. Po kur u niske me ardhë prej neve ju dhimke baba i vet edhe u kthejke apet. Në prehën edhe ata e kanë mbytë me gjithë babë të vetin e kanë vra”, ka treguar ajo.

Pas pak minutash, sipas saj, janë dëgjuar krismat.

“S’kanë kaluar as 10 minuta kanë kërsitë. Qëky djali i madh mu ka katrrithë e më tha, mamë tha, krejt i vrajtën. I thashë jo djali jem, veç po gjujnë përpjetë me na tutë neve e kanë, se nuk i kanë vra çfarë. I thashë i çojnë diku. E tani me atë shpresë kanë nejtë gjithë fmija se unë fmijën ma të më madhin, çiken 12 vjet e krejt ma të vogël të tjerët i kam pas”, ka treguar ajo.

Tmerri për ta kishte vazhduar edhe gjatë rrugës, kur ishin nën përcjellje të policisë serbe, të cilët kohë pas kohe i kishin maltretuar.

“Njëfarë plaku, më duket Ibush a qysh e ka pas emrin, i Deloviqe, erdh me një plakë me një kolicë se nuk munjte askush ta çojë. Tham ai shpëtoi. Por e kapën ata e lidhën për banderi në Polluzhë, krejt e lidhën me kanopa e lanë qaty”, ka thënë ajo.

Tregon se si njëherë i kanë detyruar që të nisen për në Skenderaj, e më pas për në Drenas.

“Kur u kthyn e zgidhen atëfarë plakun edhe po shohim aq fort që e kishin pas shtrengu, krejt duart i kishte me gjak i pikshin nën konop. Po ajo gruaja e vetë e çika i thojshin shyqyr shpëtove. U mundojshin me shti në kolonë, por prapë e panë, se përcjellshin non-stop, e u kthyen e morën. E vrajtën qaty”, tregon ajo.

Dëshmia e dy kunatave nuk u dëgjua asnjëherë nga organet e drejtësisë.

E padëgjuar mbeti edhe dëshmia e njërit nga tre të mbijetuarit e masakrës, Misin Deliu, i cili kishte mbetur i plagosur. Ai ndërroi jetë rreth tre vjet më parë. Vdekja e Misin Deliut për shumë familjarë të viktimave shënoi fundin e një mundësie për të hedhur dritë për tmerrin që kishte ndodhur në Rezallë.

Por, i mbijetuari tjetër, Islam Rukolli, kishte dhënë dëshmi para tre vjetësh në Prokurorinë Speciale, por se ende nuk ka asnjë aktakuzë për këtë rast. KOHA ka kërkuar përgjigje nga Prokuroria Speciale nëse është duke hetuar rreth asaj që kishte ndodhur në Rezallë, por nuk ka marrë përgjigje.

 

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer