Anëtarët e Kuvendit Komunal të Komunës së Shtimes kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për shkarkimin e Kryesuesit të Kuvendit Komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Ademi.
Demokacia.com ka siguruar thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme, e cila do të mbahet më 04 shtator 2023. Mbledhja për shkarkimin e Kryesuesit të Kuvendit pritet të nis në orën 11:00.
Kërkesa për shkarkimin e Ademit ka ardhur për shkak të “dështimeve në udhëheqjen dhe menaxhimin e mbledhjeve si dhe trajtimin jonjerëzor të anëtarëve të Kuvendit të Komunës, veçanërisht atyre të opozitës”.
“Anëtarët e Kuvendit të Komunës, parashtrues të kërkesës për mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, pas dështimeve të vazhdueshme në udhëheqjen dhe menaxhimin e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, duke përfshirë edhe përfaqësimin e saj nga Kryesuesi Ademi si dhe duke marrë për bazë nivelin e performancës së tij në këtë funksion nga zgjedhja e tij e deri në periudhën vijuese deri më sot, vlerësojnë se i njëjti duhet të vihet para përgjegjësisë dhe shkarkimit, sepse në mënyrë të vazhdueshme ka dështuar të tregoj aftësi për menaxhimin e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, duke përfshirë edhe trajtimin jonjerëzor të anëtarëve të Kuvendit të Komunës, veçanërisht atyre të opozitës”.
Po ashtu, siç ka mësuar lajminet, “çlirimtari” i Shtimes pritet ta humb edhe shumicën e deritashme me numër të asamblistëve në Kuvendin Komunal në Shtime.