Një incident i rëndë i dhunës në familje është raportuar pasditen e 16 dhjetorit 2025 në fshatin Runik të Skenderajt, ku dy vëllezër binjakë të mitur janë përfshirë në një konflikt fizik, i cili ka eskaluar edhe në drejtim të nënës së tyre.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 14:30, kur policia ka pranuar një thirrje telefonike se në lagjen Miftari dy të mitur po rriheshin mes vete. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë konfirmuar rastin.
Gazeta Sinjali mëson se konflikti ka nisur pasi njëri nga vëllezërit kishte tentuar ta sulmonte nënën e tyre, D.D., ndërsa vëllai tjetër ka ndërhyrë për ta mbrojtur, çka ka rezultuar me përleshje fizike mes dy të miturve.
Të përfshirët janë shoqëruar në stacion policor dhe u është ofruar ndihmë mjekësore, pasi njëri kishte lëndime në buzë, ndërsa tjetri në kokë. Fillimisht ata kanë marrë tretman mjekësor në QKMF Skenderaj, e më pas edhe në spitalin rajonal në Mitrovicë.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me rastin bëjnë të ditur për Sinjalin se njësia për dhunë në familje ka marrë në trajtim rastin, ndërsa Prokurori Kujdestar ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim trupor”. Me vendim të prokurorit, i dyshuari i mitur, i identifikuar me inicialet E.D., është ndaluar për 24 orë në Qendrën e Mbajtjes.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.