Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen çdo ditë e më shumë në vendin tonë. Zakonisht viktima janë gratë e vajzat të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga familjarët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe dje në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tyre, në rrugën ‘Nënë Tereza’, ku pas një konflikti verbal mes tyre, 31-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht motrën e tij 33-vjeçare, duke e goditur me shuplaka.
Përballë kësaj situate, kanë ndërhyrë familjarët e tyre, teksa vajza ka kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të marra, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.