E premte, 15 Nëntor, 2024

Dialogu i pa suksesshëm, çka ndodhi dje në Bruksel?

Si çdo herë tjetër edhe ditën e djeshme pati dallime në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përderisa Kurti ka thënë se nuk ka mundur që ta pranonte kompromisin mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Vuçiqi ka insistuar te themelimi i këtij mekanizmi.

Në anën tjetër, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Joseph Borrell, ka fajësuar Kurtin për mungesën e kompromisit pasi që, sipas tij, është refuzuar propozimi që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave. Sipas Borrellit, Kurti ka kërkuar së pari njohje “de facto” nga Serbia, ndërsa Vuçiqi themelimin e Asociacionit.

“Ne kemi propozuar të zbatohen këto paralelisht, të sigurohet që të marrë diçka e të japë diçka. BE-ja dhe komuniteti i gjerë ndërkombëtar, përfshirë partnerët amerikanë, e shohin këtë si rrugë të vetme për të funksionuar zbatimi. Të dyja duhet të kenë garanci se veprimet shpërblehen, me masa nga pala tjetër. Jam munduar me Kurtin e Vuçiqin të gjej rrugën para, duke u bazuar në propozimin tonë. Për fat të keq, pas takimit të gjatë Kurti nuk ishte i gatshëm që të ecet para, të fillojë një proces kredibil për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, ka thënë Borrelli, pas takimit trepalësh.

E kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk mundet që pika e cila i referohet themelimit të Asociacionit të vendoset si “qerrja para kuajve”. Ai ka shtuar se në kushtëzimin e Vuçiqit kanë rënë edhe Borrelli dhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërkaq presidenti serb, Vuçiq, ka përsëritur se Kurti po refuzon që ta zbatojë marrëveshjen për të cilën ka dakordim që prej 19 prillit të vitit 2013.

“Sa i përket rrjedhës, nuk ka pasur shumë gjëra të këndshme, por shumë gjëra të pakëndshme. Logjikisht, të gjithë po luftojmë për të veten. Është e qartë se Kurti po i shmanget formimit të Asociacionit. Serbia nuk po u ikën detyrimeve të saja, por ne i folëm si është dhe BE-ja se si duhet ecur gjërat. Dhe ne e pranuam një propozim të tillë, pavarësisht se nuk ishte i lehtë, por Kurti e refuzoi dhe kështu përfundoi çdo gjë”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka shtuar se Asociacioni duhet të formohet duke u bazuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Temë diskutimi në takimin trepalësh ka qenë edhe situata në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.

Borrelli po ashtu ka thënë se do t’i njoftojë shtetet anëtare të BE-së për rezultatin e takimit dhe se më pas do të vendoset për hapa të mëtutjeshëm.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, sipas propozimit të BE-së, është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer