Një rast i përleshjes ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Burojë të Skenderajt, ku një person i mitur ka shkaktuar telashe në shtëpinë e tij.
Sinjali mëson se gjithçka ka nisur pas kërkesës të të miturit për ta marrë veturën e babait, e cila nuk u aprovua nga 65-vjeçari. Kjo ka bërë që i mituri të revoltohet dhe të shkaktojë dëme materiale në shtëpi përmes sjelljeve të tij të dhunshme. Po ashtu i njëjti dyshohet se ka kërcënuar babain e tij, duke i thënë se deri nesër nuk do jetë gjallë.
Në gjithë zënkën është përfshirë edhe djali tjetër i familjes, po ashtu i mitur, i cili është përleshur fizikisht me vëllain e tij.
Si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Kanosje’ dhe ‘Dëmtim apo asgjësim i pasurisë’. I mituri nuk është kthyer në shtëpi, por ka shkuar në shtëpinë e dajave të tij.