E mërkurë, 6 Nëntor, 2024

DOKUMENT | Bordi i “Trafikut Urban” shpalli konkurs të jashtëligjshëm për dy pozita të Zëvendëskryeshefëve Ekzekutivë

Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë është përfshirë sërish në një skandal. Bordi i Drejtorëve ka shpallur dy konkurse për pozitat e Zëvendëskryeshefëve Ekzekutivë, veprim ky që bie ndesh me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe aktet e tjera rregulluese, shkruan Demokracia.com.

Bordi i Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike “Trafiku Urban” ka shpallur së fundmi dy konkurse për pozitat e Zëvendëskryeshefit Ekzekutiv, duke shkelur dispozitat ligjore të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, Statutin e ndërmarrjes dhe Rregulloren Nr. 01/2022 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës.

Në një nga mbledhjet e tyre, Bordi i Drejtorëve ka marrë vendimin me nr. 06/2024 për të ndryshuar Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke shtuar dy pozita të Zëvendëskryeshefit Ekzekutiv dhe duke përcaktuar kushtet që duhet t’i plotësojnë kandidatët. Megjithatë, ky ndryshim është bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi çdo ndryshim në rregullore kërkon hartimin e një rregulloreje të re dhe jo vetëm një vendim bordi.

Sipas ligjit në fuqi, dokumenti i paraqitur nga Bordi nuk ka vlefshmëri juridike dhe rregullorja aktuale e publikuar në faqen zyrtare të Trafikut Urban nuk përfshin dy pozitat e reja. Si rezultat, shpallja e këtyre konkurseve konsiderohet si jashtë planifikimit dhe është në shkelje të hapur të ligjit.

Bordi ka shkelur edhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike në përcaktimin e dy Zëvendëskryeshefëve Ekzekutivë. Neni 21 i këtij ligji lejon emërimin e dy Zëvendëskryeshefëve vetëm në raste kur ndërmarrja ka llojllojshmëri më të madhe të veprimtarisë. Megjithatë, Trafiku Urban ofron vetëm transport rrugor urban dhe ndërurban të pasagjerëve, duke mos përmbushur kriteret ligjore për emërimin e dy Zëvendëskryeshefëve Ekzekutivë.

Demokracia.com duke u thirrur në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike ka kërkuar të shoh vendimin për shpallje të konkursit për dy zëvendëskryeshefë, pasi që duke parë rregulloren e publikuar në ueb faqen e Trafikut Urban është vërejtur që nuk janë të planifikuar dy zëvendëskryeshefë ekzekutivë.

NP “Trafiku Urban” ka lejuar qasje në këtë dokument. Bazuar në këtë dokument, plotësim-ndryshimi i Rregullores është bërë vetëm me vendim më datën 7 korrik, jo me rregullore të re. Ndërsa, ka hyrë në fuqi më 13 korrik. Ky vendim është i Bordit të Drejtorëve.

Demokracia.com ka raportuar gjatë ditës së djeshme se Bordi i Drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje, ka vendosur të rrisë edhe pagat në mënyrë selektive vetëm për katër zyrtarë të lartë, duke përjashtuar kështu shoferët, kondukterët dhe stafin administrativ të ndërmarrjes. Vendimi është marrë pas kërkesës së U.D. Zyrtares Kryesore Financiare në Trafikun Urban, Shukrije Morina, e cila gjithashtu është edhe anëtare e Bordit të Drejtorëve në Termokos, njëherësh kryesuese e Komisionit të Auditimit, ku merr po ashtu pagë tjetër. Këtë kërkesë në Trafikun Urban, Morina e kishte bërë pa konsultim dhe përfshirje të sindikatave, duke diskriminuar kështu punëtorët që mbajnë barrën kryesore të shërbimeve të transportit publik.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer