E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Drenas: Persona të panjohur zhvarrosin për të dytën herë trupin e Lutfi Ajazit [VIDEO]

Varri i Lutfi Ajazit në fshatin Sankoc të Drenasit, të dielën, për të dytën herë është hapur, nga ku janë nxjerrë mbetjet mortore. Familjarë të të ndjerit nuk kanë pranuar të flasin, e Policia ka njoftuar se rasti është duke u trajtuar si dëmtim i varrezave

Dheu i varrit të Lutfi Ajazit, që ka ndërruar jetë 10 vjet më parë, mban ngjyrën e zezë e duket si të ishte bërë tani. Varri që ndodhet në fshatin Sankoc të Drenasit u hap për të dytën herë, nga ku u larguan mbetjet mortore të Ajazit nga persona të panjohur.

Sipas burimeve të KOHËS, 10 muaj më parë varri u hap dhe nga aty u nxorën mbetjet mortore, por që familjarët i mblodhën dhe i rikthyen sërish. Rasti nuk ishte lajmëruar në Polici.

Ngjarja u përsërit të dielën nga persona ende të panjohur. Sipas Policisë për Rajonin e Prishtinës, rasti është duke u trajtuar si “dëmtim i varrezave”.

Te varri pa ndonjë mbishkrim që e identifikon atë, sipas burimeve, është lënë një mesazh ku thuhej: “Eshtrat e tradhtarëve nuk kanë vend këtu”.

Kadri Ajazi, përfaqësues i fshatit, tregon se nuk ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe se nuk ka informata zyrtare.

“Sipas banorëve thonë që janë nxjerrë ata eshtra, i kanë pa afër rrugës edhe derisa ka ardhur policia ata me ato punët e veta që i kanë obligim me i krye, i kanë krye edhe kanë shku. Kështu që nuk kam qenë i informuar fare dhe nuk kam dalë”, ka thënë Ajazi.

KOHA ka provuar të flasë me familjarë të Ajazit në fshat, por ata nuk kanë pranuar të flasin. Njëjtë edhe banorë të tjerë të fshatit.

Për Lutfi Ajazin, që vdiq 10 vjet më parë, është thënë se ka punuar për Sigurimin e Shteti të Serbisë. Emri i tij është përmendur edhe si i dyshuari kryesor në rrëmbimin dhe zhdukjen e mjekut të UÇK-së, dr. Hafir Shala në vitin 1998. Po ashtu, ai ishte përmendur nga Fatmir Limaj gjatë gjykimit në Tribunalin e Hagës më 2005.

Në një dëshmi publike, Limaj pati mbajtur përgjegjës Lutfi Ajazin për atentate, masakra e, ndër të tjera, edhe për plagosjen e Sabri Hamitit e vrasjen e Enver Malokut, të dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Ibrahim Rugovës.

KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale dhe në atë Themelore në Prishtinë nëse Ajazi është hetuar ndonjëherë për ato që ka thënë Limaj, por gjatë ditës së hënë nuk ka marrë përgjigje.

 

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer