Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj prishen miqësi e lidhje familjare, e shpeshherë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Drenas, ku një person dyshohet është kanosur nga një 41-vjeçar, përmes telefonit, lidhur me një rast të mëhershëm.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të borxheve që i dyshuari pretendon se viktima i ka ndaj tij dhe nuk kishte arritur t’ia kthente. Për pasojë, ai u ballafaqua me kërcënime, për çka u detyrua ta raportojë rastin në Polici.
Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i dyshuari i ka shkaktuar frikë e shqetësim.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar për veprën me të cilën ngarkohet.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Kanosje’.