E shtunë, 5 Tetor, 2024

Drita fiton derbin ndaj Llapit, Dukagjini e mposht me rikthim Malishevën

Drita ka shënuar fitore në derbin ndaj Llapit (0:1), derisa Dukagjini bëri një rikthim fantastik ndaj Malishevës (3:4), në kuadër të xhiros së 10-të në Superligën e Kosovës.

Derbi më interesant u zhvillua në “Zahir Pajaziti”, ku “Intelektualët” arkëtuan pikët e plota me rezultat minimal 0:1.

Ndeshja ishte shumë e barabartë nga minuta e parë, me të dy skuadrat që tentonin të ndërtonin aksione që iu mungoi finalizimi.

Heroi i Dritës ishte sulmuesi Almir Ajzeraj që realizoi nga afërsia pasi goditjen e parë arriti ta ndalë portieri vendas (81’).

Pas golit të pësuar, Llapi tentoi ta barazonte me çdo kusht rezultatin por që assesi s’ia dolën.

Kësisoj, Drita arkëtoi pikët e plota duke u ngritur në pozitën e dytë në tabelë me 21 pikë derisa Llapi teni bie në vendin e tretë me 19 sosh.

Në anën tjetër, Dukagjini ka bërë një rikthim të madh nga 2:0 në 3:4 për ta mposhtur në udhëtim Malishevën.

Malisheva e nisi për mrekulli duke kaluar në epërsi pas 11 minutave lojë me Altin Aliun, që realizoi pas 11 minutave falë një aksioni fantastik të Drilon Hazrollaj.

Vendasit vazhduan të ishin më të mirë, duke dyfishuar epërsinë me Nyavedjiun që u asistua nga Aliu (40’).

Dukagjini pastaj nisi këndelljen duke ngushtuar me Marclei Santos që realizoi me kokë pas harkimit të Morinës (42’), por që golin e anuloi VAR-i për pozitë jashtë loje.

Në pjesën e dytë, Dukagjini ishte shumë më e mirë duke ngushtuar fillimisht rezultatin me anë të Iljasa Zulfijit (47’).

Ndërsa, Iran Junior barazoi rezultatin pas një asistimi të Santos (60’).

Për përmbysjen e madhe u përkujdes Marclei Santos me një gol të bukur (70’).

Kurse, fitoren e vulosi Altin Mërlaku 10 minuta pa përfunduar koha e rregullt (80’).

E tëra që arriti të bënte Malisheva ishte goli i tretë dhe njëkohësisht të fundit me Hazrollaj që realizoi me një goditje vollej (90+4′).

Dukagjini tani zë pozitën e gjashtë me 12 pikë derisa Malisheva zë vendin e pestë me 12 pikë.

Të fundit

Shija e redaktorit

- Advertisement -
 
//BODY PART STICKY - Implement into the footer