Drenas, 12 prill 2025 – Kryetari i subjektit “Demokratët për Drenasin”, Driton Ajazi, ka marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore në nderim të dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë, në përvjetorin e 26-të të rënies së tyre.
Homazhet janë mbajtur në Kompleksin e Dëshmorëve “Te Lisat Binak” në Tërstenik dhe në Kompleksin “Pëllumbat e Lirisë” në Negroc, për të përkujtuar dëshmorët e fshatrave Llapushnik, Arllat, Negroc, Vuçak dhe Gjurgjicë.
Në postimin e tij, Ajazi theksoi rëndësinë e sakrificës së dëshmorëve, duke thënë se “liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak, me vendosmëri dhe me dashuri të pakusht për atdheun”.
“Çdo hap i yni sot është amanet i tyre, dhe çdo sukses i brezave të ardhshëm do të jetë dëshmi e lavdisë që ata na lanë trashëgim”, shtoi ai.
Ai shprehu mirënjohje të thellë edhe për familjet e dëshmorëve, duke theksuar se përmes sakrificës së tyre u kalit qëndresa kolektive deri në çlirimin e vendit.
“Lavdi e përjetshme për dëshmorët e kombit!”, përfundoi Ajazi.