Kryetari i “Demokratëve për Drenasin”, Driton Ajazi, ka përkujtuar sot një nga periudhat më të errëta të historisë së Drenasit dhe Kosovës – masakrat e kryera nga forcat serbe gjatë muajit prill të vitit 1999, shkruan rajoni.org.
Ajazi tha se ky muaj, i cili zakonisht shënon ardhjen e pranverës dhe gjallërimin e natyrës, atë vit solli vetëm dhimbje dhe gjakderdhje.
“Në vend të aromës së luleve, solli aromën e gjakut të qytetarëve tanë të vrarë barbarisht nga forcat serbe, të të gjitha moshave dhe gjinive, vetëm pse ishin shqiptarë”, shkroi Ajazi.
Tutje ai ka kujtuar në veçanti datën 30 prill, kur gjatë një ofensive të egër paramilitare serbe u vranë 280 civilë të pafajshëm nga fshatrat Shtuticë, Vërboc, Gllobar, Tërstenik, Polluzhë, Qirez, Baks, Dashec e të tjerë përreth. Në këtë datë ra heroikisht edhe komandanti Ilaz Kodra me 42 bashkëluftëtarë, të cilët Ajazi i cilësoi si simbol të qëndresës dhe sakrificës për lirinë e vendit.
Postimi:
Muaji Prill, zakonisht është muaji që sjell blerimin pranveror, por nuk ishte i tillë në vitin 1999, sepse në vend të aromës së luleve, solli aromën e gjakut të qytetarëve tanë të vrarë barbarisht nga forcat serbe, të të gjitha moshave dhe gjinive, vetëm pse ishin shqiptarë.
Ky muaj, i vitit 1999, që përherë do të mbetet plagë e hapur në kujtesën tonë, nuk u ndal me masakrat që u kryen në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër. Ai kulmoi me një tjetër krim të tmerrshëm, ku me 30 prilli i vitit 1999, u shuan 280 jetë të pafajshme nga fshatrat Shtuticë, Vërboc, Gllobar, Tërstenik, Polluzhë, Qirez, Baks, Dashec, e fshatra të tjerë përreth nga një ofensivë e egër paramilitare serbe.
Në mesin e kësaj dhimbjeje, qëndron edhe krenaria për qëndresën heroike. Ku pikërishtë në këtë ditë bien heroikisht edhe Komandanti Ilaz Kodra, bashkë me 42 bashkëluftëtarë, të cilët me gjakun e tyre, ata vulosën rrugën drejt lirisë që ne e gëzojmë sot. Ata u bënë simbol i qëndresës dhe i sakrificës për lirinë e vendit tonë.
Sot, 26 vite pas, mes dhimbjes dhe krenarisë, mes lotëve të Nënave, nderuam sakrificën e tyre sublime, duke vendosur lule të freskëta pranë varreve të tyre, për të na kujtuar se sa e freskët është kujtesa jonë për ta.
Në nderim të atyre që ranë, sot, u zbuluan edhe dy Pllaka Përkujtimore, në Polluzhë dhe në Sh.F.”Zenel Hajdini” në Tërstenik për nxënësit dhe mësimdhënësit e rënë, për të mos harruar kurrë, por për ti kujtuar përgjithmonë.
Lavdi për jetë e mot për të gjithë të rënët për liri!🇦🇱🇽🇰
D.A.